Klopp: Krenar për Borusian, edhe ne fitues

26/05/2013 09:50

I mbushur me trishtim, por edhe me një krenari të pakufishme për djemtë e tij. Kështu e përshkroi veten Jurgen Klopp, trajneri i Borusias së Dortmundit, pas humbjes në finalen e “Wembley” përballë Bajernit.

”Do të rikthehemi në një finale. Nuk do të jetë përsëri “Wembley”, por do të tentojmë sërisht. Është pikërisht kjo ajo që i thashë futbollistëve të mi”, deklaroi në konferencë për shtyp trajneri 45-vjeçar.

Një humbës shumë krenar. Kështu e përkufuzoi veten Klopp. “Ndihem shumë krenar për skuadrën time, edhe pse në këto çaste mbizotëron trishtimi dhe më duket normale. Futbollistët e mi dhanë gjithçka që kishin. Kjo humbje dhemb, por jam i sigurt që me kalimin e kohës, do të mbetet një kujtim i mrekullueshëm për të gjithë”.

Mbi dyshimet se në penalltinë që iu akordua Borusias në pjesën e dytë, Dante duhet të ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, trajneri i verdhezinjve nuk deshi të polemizonte. “Historia e futbollit ka njohur gabime arbitrale shumë më të mëdha se kjo. Pastaj, askush nuk mund të thotë nëse do të kishte ndryshuar fituesi me Bajernin me dhjetë futbollistë. Nuk e di nëse mund të kishte ndryshuar dhe tashmë, penalltia nuk mund të ndryshohet më”.

Klopp, i cili e përshkroi sezonin e të tijëve si “të shkëlqyer”, pati vetëm komplimenta ndaj fituesit të “Wembley”. “I thashë futbollistëve të mi që do të kishim qenë fitues të drejtë dhe i shkuam shumë pranë, por fatkeqësisht ka vetëm një fitues Bajerni ishte një kampion i merituar. I përgëzova pas ndeshjes, mendoj se e meritojnë plotësisht”.

Top Channel