Kë do të shtypni?

26/05/2013 13:30

Monika Shoshori Stafa – Në ditën e hapjes zyrtare të fushatës së zgjedhjeve, pikërisht kur pritej që qytetarëve t’u ofrohej një mjedis festiv, me shtendosjen e natyrshme që sjell mundësia për të ushtruar vullnet politik të drejtpërdrejtë, ndodhi diçka që nuk pritej. Sigla muzikore e muajit elektoral të njërës prej partive të para të sistemit tonë politik bipartiak, dekoruar me parti e partiza përreth, do të ishte vargu i këngës së njohur “ee eill rock you!” – “Ne do t’ju shkelim me këmbë!”. Ky varg, në variantin e muzikuar, mbyllet pikërisht me ritmin e rreptë të çizmes që përplaset egërsisht mbi tokë, duke e bërë dhe më agresive thirrjen e shprehur me fjalë. “Ne do t’ju shtypim!”

Pesë vjet më parë më pati tërhequr vëmendjen pikërisht vargu i kësaj kënge, i zgjedhur nga e njëjta parti, për të njëjtin qëllim, në funksion të një fushate zgjedhjesh. Sprova ime u botua në gazetën “Shqip” me titullin “Hate speech në Shqipëri”.

Natyrisht, nuk ishte egoizmi im, egoizmi i njeriut që vëren me keqardhje se fuqia e mendimit të vet ka qenë e pamjaftueshme për të ndryshuar gjërat, që më bëri të mpreh shqisat për të ndjekur atë që po ndodhte. Jo, më së pari ishte pyetja që m’u shfaq: Sloganet kanë ndryshuar, flitet për fillimin e një epoke të re, premtohet hyrja në një kohë tjetër, një “fillim i fillimeve”, por sa e besueshme është e gjitha kjo? Si mund të besosh tek “ndryshimi i madh”, epoka e re e premtuar, kur në skenë shpërthen e njëjta egërsi si pesë vjet më parë, shprehur në premtimin “Ne do t’ju shtypim!”?

E ç’ka të re në gjithë këtë parashtrim, mund të bëhet pyetja. Tashmë njerëzit janë zhgënjyer deri në atë shkallë sa të mos besojnë tek vota, tek demokracia vetë si sistem, tek rotacioni. Që do të thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, duke filluar nga sigla muzikore, dhe mbase asgjë nuk do të ndryshojë edhe nëse rotacioni do të ndodhë. Mirëpo puna nuk është aq e thjeshtë. Sepse t’u shfaqesh gjysmës së shtetasve me thirrjen “Ne do t’ju shkelim me këmbë” është një kërcënim i madh, është një agresion jo vetëm verbal, është një rrezik për shoqërinë.

Çfarë ekzagjerimi! – mund të thuhet, – a ia vlen gjithë ky arsyetim për një varg kënge, për më tepër për një hit botëror, që nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore në Shqipëri. Por jo, nuk ka asnjë ekzagjerim, sepse nuk është fjala për këngën, por për citatin e saj në një ceremoni të rendit parësor të një partie të rendit parësor: në ditën e parë të fushatës.

Kë do të shtypni? Vota e njerëzve u jep partive të drejtën për të formuar shumica politike, të drejtën për të krijuar qeveri, të drejtën për të pasur pushtet. Por nëse pushteti përdoret për të shtypur njëra pjesë tjetrën, atëherë e ardhmja e afërt nuk mund të përfytyrohet ndryshe vetëm se e frikshme. Vetëm diktaturat shtypin, dhe mburren se shtypin. Vetëm tiranitë shkelin me këmbë, dhe mburren se shkelin me këmbë.

Në mjedisin shqiptar nuk është hera e parë që urrejtja kthehet në slogan. Ka mbi dy dekada që politika orientohet përmes urrejtjes. Nisi me: “Vdekje, vdekje, vdekje komunistëve!”, vazhdoi me premtimin homofobik “Ne do t’jua thyejmë kafkat!”, shkoi më tej me barbarinë e zezë “Ne do t’jua ngrijmë në buzë buzëqeshjen”, deri sa u bë refren vargu “ee, ee, ee, ee rock you!” – “Ne do t’ua shtypim kokat”.

Ishte e pabesueshme për mua riardhja e këtij slogani pas pesë vjet reflektimi, që gati e pata besuar, sidomos kur nga goja e kreut të fushatës politike të partisë që u identifikua me të, vetëm dy-tri ditë më parë, gjatë një bisede televizive pata dëgjuar të parashtrohej gjithë elegancë se politika është arti i zbutjes së mospajtimeve, mjeshtëria e institucionalizimit të paqes shoqërore, misteri i të krijuarit të njeriut të kënaqur. Dhe, në të vërtetë, qëllimi i politikës ky është: t’u mundësojë njerëzve të jetojnë së bashku në polis, në metropol, në megapol, pa armiqësi ndaj njëri-tjetrit, megjithëse jo në barazi me njëri-tjetrin; të zbusë vrazhdësinë që sjell, bashkë me shumë përfitime të pazëvendësueshme, konkurrenca; të projektojë shëndetin e shoqërisë si e tillë. Por, me sa duket, e gjitha kjo bën pjesë në pamjen e dytë të dukurisë.

Pse të mos mendohet kështu? A nuk u janë drejtuar liderët shqiptarë qytetarëve të vendit drejtpërsëdrejti me thirrjet “popull i majtë”, “popull i djathtë”, “popull socialist”, “popull demokrat”, “popull opozitar”, “popull përparimtar”? Kur partitë politike përpiqen të fabrikojnë dy popuj, për çfarë të mire mund të flitet? Dy popuj fabrikohen për të ngritur një pjesë kundër tjetrës, jo për të bindur njërën pjesë të zmadhohet e të japë shumë vota. Sidomos kur njëra pjesë ushqehet edhe me muzikë me thirrjen “Ne do t’ju shkelim me këmbë!”, gjërat duhet të merren seriozisht, sepse një thirrje e tillë nuk përgatit rotacionin, por rrezikun, konfliktin, urrejtjen.

Në Shqipëri, me sa duket, askush nuk mendon për atë që në vitet 1970 në Europë quhej detantë. Nuk mendon kush për shtensionimin, që është terapia e domosdoshme dhe urgjente për të cilën ka nevojë vendi. Një vend që jeton çdo ditë e më keq dhe ka frikë nga e ardhmja. Ka frikë nga sindromi Qipro, për të mos folur për më të keqen, që preku fqinjin tonë jugor. Ka frikë sepse borxhi që i trashëgohet prej njërës investiturë investiturës tjetër statistikisht llogaritet 8-9 miliardë euro. Kjo është një kosto gati-gati e papërballueshme, sidomos kur popullin e ndan në pjesë, dhe kjo do të thotë dhe duke ruajtur të mirat për njërën pjesë dhe të këqijat për tjetrën.

Është thjesht një fushatë, që përsëritet një herë në katër vjet, madje një herë në dy vjet, po të llogariten dhe fushatat për zgjedhjet administrative, të cilat në Shqipëri janë fushata tipike politike të mirëfillta. Nuk është luftë. Kujt i duhen rreshtime të tilla të frikshme, kush ka nevojë për inkurajimin makabër “Ne do t’ju shtypim me këmbë!”? Në vend që të ofrohet shpresa, ofrohet një homofobi e tillë e organizuar sa të vjen të thuash vetëm kaq: Lëreni popullin në hallin e vet, në dhimbjen e vet, në skamjen e vet, në mundimet e veta, në paperspektivën e vet. Helmi i fjalës së urrejtjes që u mboll prej luftës së klasave nuk del kollaj dhe mund të shumëfishohet nëse vota kërkohet me thirrje të ngjashme me frymë ideologjike!

Pas pak ditësh, ndoshta ligjvënësit shqiptarë do të kenë miratuar tre ligjet-kushte për të fituar një status më të avancuar në Bashkësinë Europiane. Tri ligje të cilëve populli nuk ua di emrin, dhe ndoshta as një pjesë e deputetëve nuk ua dinë. Ndoshta do të rindërtohet dhe administrata zgjedhore, sipas ujdisë së dy palëve, ujdi që përsëritet në mënyrë jokoherente sa herë ka zgjedhje, dhe kjo është arsyeja që nuk bën traditë. Por ajo që nuk ka ndryshuar është mendja e njeriut shqiptar, që ruan të njëjtën egërsi si ajo e stereotipave të kohës së Luftës së Ftohtë; nuk ka ndryshuar njeriu shqiptar vetë, që punën e quan robëri dhe të mirat i pret nga partitë; nuk ka ndryshuar karakteri agresiv i sjelljeve shqiptare, të njëjtëve shqiptarë për të cilët lordi britanik Byron pati shkruar se nuk janë krejt pa cilësi, të paktën rreptësinë e kanë me tepri, por ato të tjerat t’i kishin ca më të pjekura të shkretat!

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA