Mercedes dominon provat në Monako

25/05/2013 00:00

Mercedes ka dominuar provat zyrtare të vlefshme për garën e gjashtë të kampionatit botëror të Formula 1, atë për cmimin e madh të Monakos.

Me një mot të paqendrueshëm, Rosberg regjistroi kohën më të mirë, 1 minutë 13 sekonda e 876 të qindëtat. Ky është “pole position” i tretë radhazi për të, duke lënë pas me vetëm një të dhjetën e sekondës shokun e skuadrës, Luis Hamilton.

Kampioni i botës në fuqi, Sebastian Vettel me Red Bull u rendit i treti duke lënë pas shokun e skuadrës, Mark Webber. Në radhën e pestë do të niset Kimi Raikonen me Lotus. Fernando Alonso me Ferrari do të niset i gjashti, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Felipe Massa do të niset nga vendi i fundit, pas përplasjes gjatë provave të lira të zhvilluara në orët e paradites.

Gjatë garës të së dielës, Massa do të provojë mrekullinë, ndërsa drejtuesit e “Kokëkuqes” kanë paralajmëruar për të një garë me vetëm një pit-stop.

Gara e F1 për cmimin e madh të Monakos nis të dielën në orën 14:00 dhe do të transmetohet direkt në Top Channel.

Top Channel