Lavezzi i “shkel syrin” Interit

24/05/2013 20:00

Sulmuesi i Paris SG, Ezequel Lavezzi, pranoi në një intervistë gjatë së premtes se ndien nostalgji për Serinë A, duke i dhënë jetë zërave për një transferim të mundshëm tek Interi.

Me kalimin e Mazzarit në drejtimin e zikaltërit, Interi shndërrohet automatikisht në favorit për të siguruar shërbimet e argjentinasit, gjithmonë nëse financat e klubit do të lejojnë këtë sforco.

Gjatë viteve tek Napoli, Mazzari dhe Lavezzi ruajtën një raport të shkëlqyer dhe ky raport mund të jetë vendimtar për të lehtësuar transferimin.

“Do të më pëlqente që një ditë të rikthehesha në Itali. Nuk e di nëse kjo mund të ndodhë tani, por do të më pëlqente. Napoli është një qytet që më ka dhënë shumë dhe jam, ndierë gjithmonë mirë atje. Nuk do të ishte e drejtë nëse do të thoja kurrë kurrë”, deklaroi Lavezzi, në një intervistë për rrjetin “Sky”.

“Siç kam shpjeguar, përjetova një moment në të cilën mendova se cikli im kishte përfunduar. Për këtë arsye fola me presidentin (De Laurentis) dhe i kërkova që të largohesha. Megjithatë, nostalgjia mbetet dhe të nesërmen nuk e di se çfarë mund të ndodhë”, shtoi argjentinasi.

Përsa i përket Mazzarit, fjalët 28-vjeçarit qenë të qarta: “Nuk kam pasur kurrë një trajner që të punonte më mirë taktikisht se sa Mazzari. Më ka ndihmuar shumë që të rritem në nivelin tim, duke më thënë gjithmonë se çfarë duhet të stërvisja e ku duhet të përmirësohesha. Më jepte këshilla dhe më kërkonte mendimin tim për skuadrën. Kam pasur një raport me të vërtetë të mrekullueshëm dhe dëgjohemi ende me sms”.

Top Channel