Champions, finalja e 2015 në Berlin

24/05/2013 04:50

Do të jetë “Olympiastadion” i Berlinit, stadiumi ku do të luhet finalja e Champions-it të vitit 2015. Këtë ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino.

Për kryeqytetin gjerman, që në 2006-n ka qenë teatri i triumfit të Italisë në kampionatin Botëror, është hera e parë që organizon një finale të tillë.

Ndërsa akti i fundit i Ligës së Europës, në 2015-n, do të luhet në Varshavë të Polonisë. Vitin e ardhshëm, dy finalet do të luhen respektivisht në Lisbonë dhe Torino (Juventus Stadium).

Në 1993, 1997 dhe 2012 finalja e Champions-it është luajtur në Monaco, në 2004 në Gelsenkirchen. Nga ana e saj, Polonia nuk ka pritur kurrë një finale europiane, por në “National Stadium” të Varshavës u zhvillua ndeshja hapëse e Euro 2012-s, mes Greqisë dhe Polonisë.

UEFA ka shpallur gjithashtu se, duke nisur nga sezoni 2015/2016, fituesi i Europa League do të kualifikohet për në Champions League: vendimi do të bëhet zyrtar me rastin e Kongresit vjetor të UEFA-s, ditën e premte.

Top Channel