Mazzari drejt Interit, gati plani i merkatos

22/05/2013 19:50

Walter Mazzari duket gjithmonë e më pranë stolit të Interit dhe mediat italiane, ndërkohë publikojnë atë plan merkato, që trajneri mund të zbatojë për të rikthyer në nivelet më të larta të futbollit zikaltrit.

Aktualisht, presidenti Moratti shprehet zyrtarisht se është ende duke rishikuar pozicionin e tij ndaj trajnerit Stamaccioni, por sipas “La Gazzetta dello Sport”, vendimi tashmë është marrë dhe ish-trajneri i Napolit do të lidhë një kontratë 2-vjeçare, me një pagë prej 3,5 milionë eurosh në sezon.

Është pikërisht dora e Mazzarit, ajo që duket se ka rikthyer në klub një ish-napolitan, qendërmbrojtësin Campagniaro.

Për krahët, pritet që trajneri të kërkojë përfshirjen në negociata me Napolin për Zunigën, të shumëvlerësuar prej Mazzarit, ndërsa një mundësi e mirë mund të jetë edhe Isla i Juventusit.

Megjithatë, objektivi kryesor i merkatos, që do të kërkojë Mazzari, është ylli i Cagliarit, Naingolan, i cili shihet si alternativa e duhur për të “blinduar” qendrën e mesfushës, së bashku me Guarin.

Përveç disa blerjeve të arritura që më parë, nuk përjashtohet mundësia që Mazzari të paraqesë disa objektiva të tjerë të merkatos, por që kjo të ndodhë, sipas të përditshmes italiane, është e domosdoshme që të përcaktohet paraprakisht se cilët do të jenë futbollistët që do të largohen prej klubit.

Top Channel