Vrasja e shqiptarit në Britani

21/05/2013 23:20

Duke cituar burime policore, “BBC” njofton se dedektivët britanikë, tashmë kanë identifikuar emrin e personit, që ka vrarë dy ditë më parë Xhem Krasniqin, një 31-vjeçar nga Shqipëria.

Krasniqi, punëtor skelash, kishte shkuar bashkë me familijen e tij në jug të Anglisë, për të vizituar pjesëtarë të familijes së tij, kur është qëlluar me pistoletë nga një i dyshuar.

Kryededektivi Jeff Reyle thotë se “ne e dimë emrin e vrasësit, por nuk e bëjmë atë publik”. Ndërkohë, policia ka informuar të gjitha portet dhe pikat e kalimit kufitar, për të bllokuar të dyshuarin, nëse ai kërkon të largohet nga vendi.

Sipas kryededektivit, rreth 20 dëshmitarë kanë kontaktuar policinë, për të ndihmuar në hetimin e vrasjes dhe tentativës së vrasjes, ndaj dy personave të tjerë, të cilët shoqëronin viktimën Krasniqi.

Ndërkohë, ende nuk ka filmime nga kamerat me qark të shkurtër në vendngjarje, por policia është duke grumbulluar filmime në zonë.

Krasniqi u qëllua me tre plumba dhe policia është duke kryer analizat balistike në trupin e viktimës, i cili ndërroi jetë në spitalin e qytetit Hove.

Sipas policisë, nuk besohet se kjo vrasje është e lidhur me ndonjë grup kriminal dhe të tre personat, Krasniqi e dy të tjerët, me të cilët ai ishte në momentin e vrasjes, nuk mendohet se janë të lidhur me ndonjë aktivitet kriminal.

Miqtë dhe fqinjët e Krasniqit, i cili banonte në zonën e Kentit, në juglindje të Anglisë, thonë se janë të shokuar nga kjo vrasje dhe e cilësojnë viktimën, si një njeri shumë të mirë, me një familje shembullore.

Polica angleze ende kërkon ndihmën e publikut për zbardhjen e vrasjes dhe motiveve të saj.

Top Channel