Mësuesit peticion Tafaj: Nuk studiojmë në “pleqëri”

21/05/2013 00:00

Mësuesit e ciklit fillor nuk pranojnë të zbatojnë urdhrin e ministrit të Arsimit, për të ndjekur studimet e ciklit të dytë.

Rreth 70 arsimtarë të ciklit të ulët në kryeqytet kanë firmosur një peticion, drejtuar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, ku kundërshtojnë urdhrin e tij për të ndjekur studimet për master shkencor. Në letër thuhet se pretendimi i ministrit të Arsimit tingëllon tendencioz dhe dashakeq.

“Unë dhe disa kolegë të mitë firmosëm me koshiencë një peticion drejtuar ministrit të Arsimit, ku shpjegojmë arsyet pse nuk biem dakord me vendimin e tij për të ndjekur studimet e masterit për të ruajtur vendin e punës. Kërkesat e tyre janë të pavenda, fillimisht na dënuan se nuk njohim mirë gjuhën shqipe, konkretisht gramatikën e saj, ndërsa tani na kërkojnë të zotërojmë diplomën e masterit shkencor. Unë personalisht gjykoj se e njoh shumë mirë gjuhën shqipe, ndërsa studimet për master shkencor nuk i ndjek dot, sepse nuk kam para për të paguar tarifën vjetore, shumë lekësh që për rrogën time është më shumë sesa e kushtueshme. Pa përmendur edhe kohën fizike. Unë jam 45 vjeç, më duhet t’u jap mësim fëmijëve të klasave I-VI çdo ditë, pas kësaj më duhet të kujdesëm për familjen time, bashkëshortin dhe 2 fëmijët. Edhe sikur të kisha para, nuk kam kohë fizike për t’iu nënshtruar studimeve”, sqaroi Mirela, mësuese në një prej shkollave 9-vjeçare të Tiranës, bën të ditur “Shqip”.

Të njëjtin qëndrim ndajnë edhe 69 mësuesit e tjerë të po këtij cikli. Ata e quajnë fyes vendimin e MASH-it për t’u testuar në provimin e shtetit edhe për gjuhën shqipe, ndërsa nga ana tjetër theksojnë faktin që paga e tyre është shumë e vogël për të përballuar shpenzimet vjetore të studimeve.

Mirëpo ka edhe nga ata që ngrenë një tjetër argument.

“S’më duket aspak i drejtë vendimi i ministrit të Arsimit, që parashikon si kusht për të zhvilluar provimin e shtetit, diplomën e masterit shkencor. Në fund të fundit, ne kemi kryer studimet në fushën e arsimit, për të qenë mësues, jo pedagog. Këto s’po bëjnë më dallime. Pse u dashka që unë të bëj gjithë këto shpenzime kur paga ime nuk rritet, kur paga ime është as sa gjysma e rrogës së një pedagogu që gjithashtu zotëron diplomën e masterit shkencor. Diskutojmë mes kolegësh për qëllimin e këtij vendimi dhe mendojmë se qëllimi parësor është përfitimi financiar. Me siguri, ministri i Arsimit i ka gati tashmë emrat që do të futen në listën e emërimeve të mësuesve dhe po kërkon pretekst për të larguar mësuesit veteranë, ata të cilën kanë dhënë në vite dhe vazhdojnë të japin shpirtin për këtë profesion. S’ka çfarë shpjegimi tjetër të ketë urdhri i tij më i fundit”, tha Petriti, mësues matematike në një prej shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit.

Rreth një javë më parë, vendimi i fundit i firmosur nga ministri i Arsimit dhe Shkencës parashikon testimin e mësuesve, vetëm nëse zotërojnë diplomën e masterit shkencor. Në të kundërt, të gjithë arsimtarët e diplomuar në vitin 2010 dhe më parë do të humbasin të drejtën për të zhvilluar provimin e shtetit. Mirëpo, kjo ndëshkon rëndë arsimtarët që u përkasin këtyre brezave të të diplomuarve në fushën e arsimit, pasi rrezikojnë të humbasin vendin e punës. E vetmja mënyrë për t’i shpëtuar kësaj “fatkeqësie” është nisja e studimeve të ciklit të dytë, master shkencor, jo profesional. Kështu, kandidatët duhet të kenë mbaruar patjetër këtë cikël studimesh, pavarësisht se mund të kenë kryer një vit praktikë. Ky është urdhri i ministrit të Arsimit, ndërkohë që gjatë muajit korrik do të testohen mësuesit që kanë mbaruar sistemin e vjetër katërvjeçar.

Top Channel