F1, Raikkonen: Mos u habisni me formën time

21/05/2013 16:00

Kimi Raikkonen thekson se vendi i tij i dytë në renditjen e përgjithshme të klasifikimit të pilotëve në botërorin e Formulës 1 nuk është aspak për tu habitur.

“Nuk ka asgjë të çuditshme. Kemi punuar për tu përmirësuar dhe ja kemi arritur qëllimit. Jam më i ambientuar me skuadrën dhe kemi rezultate të qëndrueshme”, deklaroi piloti i Lotus për ‘Autosport’.

Finlandezi, i cili është vetëm 4 pikë larg kryesuesit Sebastian Vettel (Red Bull), ka fituar garën e parë të sezonit (Australi) dhe tek të tjerat ka përfunduar i dyti (përjashto këtu Malajzinë ku nuk arriti më shumë se vendi i shtatë).

“Jemi në një pozicion të mirë. Do më pëlqente të kisha fituar më shumë, por jam i kënaqur me rezultatet e mia deri tani”, shtoi Raikkonen, i cili mendon se rendimenti i Lotusit të tij nuk vjen nga konsumi i lartë i gomave Pirelli.

“Rëndësi ka shpejtësia e makinës pasi gomat ndryshojnë nga pak çdo vit. Nëse nuk je i shpejtë, nuk e kap podiumin.”

Top Channel