“Muxhahedinët”, Teherani paralajmëron Tiranën

20/05/2013 00:00

Strehimi i 14 anëtarëve të organizatës së muxhahedinëve në Shqipëri nuk
është pritur aq mirë nga autoritetet e Iranit. Teherani ka paralajmëruar
Tiranën zyrtare se pranimi i 14 prej 210 anëtarëve të organizatës
Mojahedin-e-Khalq, ose siç njihet ndryshe me emrin muxhahedinët e
popullit iranian, do të kërcënojë sigurinë kombëtare të vendit tonë.

Sipas agjencisë së lajmeve iraniane “Fars Neës”, anëtari i Bordit Kryesues i Parlamentit iranian, Baqer Hosseini Seyed, paralajmëroi Tiranën për prezencë të anëtarëve MKO.

“Qeveria e Shqipërisë duhet të shmangë përsëritjen e të njëjtit gabim që kanë bërë vendet e tjera në lidhje me pritjen e anëtarëve të MKO, sepse këta njerëz janë të rrezikshëm edhe për sigurinë kombëtare të atij vendi dhe gjithë rajonit”, paralajmëroi Hosseini, ndërkohë që OKB-ja e ka përshëndetur këtë veprim të Shqipërisë, ben te ditur gazeta “Shqip”.

Në Shqipëri tashme ka mberritur grupi i parë i 14 personash prej 210 anëtarëve të organizatës. Organizata Mojahedin-e-Khalq konsiderohet si opozita politike e regjimit të Ahmadinexhadit në Iran. Ministria e Brendshme ka marrë një plan masash për sigurimin e jetës së 14 muxhahedinëve iranianë, që kanë fituar statusin e azilit në vendin tonë, në një afat të papërcaktuar. Ata u strehuan fillimisht në një kamp në periferi të Tiranës, në zonën e Babrrusë, ku do të qëndrojnë disa muaj, për t’u zhvendosur më pas në apartamente në kryeqytet, ose mund të kërkojnë azile në vende të tjera. “Për një periudhë disajavore, muxhahedinët do të qëndrojnë në qendrën e Babrrusë. Pas kësaj, ata kanë të drejtë të vendosin nëse do të qëndrojnë në Shqipëri, apo do të ikin në ndonjë vend tjetër, gjë që varet nga mundësia e integrimit të tyre në shoqëri. Këtë të drejtë, muxhahedinët e gëzojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe konventave në fuqi, ku thuhet se ata kanë të drejtë të aplikojnë në shtete të tjera për azil politik”, pohojnë burimet nga Ministria e Brendshme. Sipas tyre, muxhahedinët gëzojnë statusin e refugjatit në Shqipëri, të cilin e kanë siguruar nëpërmjet UNHCR-së, pas kërkesës së qeverisë amerikane.

“Qeveria shqiptare ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë strehim për 210 muxhahedinë dhe në këtë mënyrë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA për strehimin e anëtarëve të grupit MEK, të cilët ndodhen në kampin e ‘Liria’ në Irak”, tha përfaqësuesi i OKB-së. Ai i referohej një vendimi të qeverisë shqiptare, i bërë publik nga Kryeministri Sali Berisha, më datë 16 mars të këtij viti, pas një takimi me zv.ndihmëssekretaren në Departamentin e Shtetit në SHBA, për Lindjen e Afërt, Barbara Leaf. Madje, në atë takim, ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i OKB-së për Irakun, pikërisht Martin Kobler, zyrtari i cili bëri të ditur lajmin e transferimit të muxhahedinëve në Shqipëri.

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit Iranian ka deklaruar se jeta e mbi 3000 muxhahedinëve në kampet në Irak ka qenë në rrezik dhe për këtë arsye duhet të largoheshin të gjithë prej andej. Kështu, një nga vendet që ka pranuar të strehojë disa prej tyre është bërë edhe Shqipëria. Që prej vitit 1979, organizata “Mojahedin-e-Khalq” është konsideruar nga autoritetet e Iranit si një lëvizje që përfaqëson tradhtarët e atdheut. Të strehuar në Irak, anëtarët e saj morën pjesë në krah të Sadam Huseinit në vitet ‘80, gjatë luftës mes Irakut dhe Iranit. Në gjysmën e dytë të viteve ‘90, muxhahedinët e popullit iranian, siç njihen  ndryshe, u përfshinë në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Për shumë vite me radhë, ajo është konsideruar si e tillë edhe nga Bashkimi Europian. Vetëm në 2009, Brukseli, me një vendim të 27 vendeve anëtare, vendosi t’i heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012 një vendim i ngjashëm u mor edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kjo organizatë është ndër themelueset kryesore të Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane, në opozitë me regjimin e presidentit Mahmoud Ahmadinejad.

Top Channel