Fatos Baxhaku – Sa më shumë që afrohen zgjedhjet, aq më shumë ka nisur
të dëgjohet, ndër tavolina lokalesh, ndër emisione radiosh, ndër biseda
kalimtarësh të rastit, madje edhe në analiza të analistëve, shprehja:
“Ta provojmë këtë tjetrin një herë, pastaj…”.
Njësoj sikur zgjedhjet të mos ishin një hap i madh qytetar i njerëzve të qytetëruar, apo të paktën që pretendojnë të jenë të tillë. Kjo ide e të shkuarit përballë kutisë së votimit me këtë “pa ta provojmë një herë” nuk na kujton gjë tjetër veçse shalqinin me provë, të cilin po nuk të pëlqeu ngjyra e kthen dhe merr sakaq një tjetër. Në rastin e frutit jemi krejt dakord, porse nuk mund të ndodhë kjo me zgjedhjet të cilat në shumë kuptime përcaktojnë fatin e gjithsecilit prej nesh. Pikërisht sepse kemi ecur me këtë mënyrë të menduari, kemi vazhduar të bëjmë eksperimente dhe ja ku jemi tash e gjithë ditën ende të veshur me petkun e rëndë e mbytës që e quajmë tranzicion.
Çuditërisht, për ta frymëzuar këtë (anti)kulturë politike e demokratike kanë ndikuar vetë partitë. Nga njëra anë kemi Partinë Demokratike, më mirë me thënë vetë Sali Berishën, i cili pak nga pak po shndërrohet në një “njeriparti”, një personazh që del kudo e kurdoherë, madje ka raste, që njësoj si në një film fanta-shkencor, shfaqet njëkohësisht edhe në dy apo më shumë vende të ndryshme. Arma e tij elektorale janë shiritat e inaugurimeve. Askush nga zgjedhësit, madje edhe ata që do përkrahin atë, nuk e ka marrë vesh mirë programin e PD-së, sepse në fakt partia në pushtet po hyn në zgjedhje pa program, por vetëm duke propaganduar ato që ajo i quan arritje, hidrocentralet, rrugët, shkollat, urat. Shirita, shirita dhe vetëm shirita… Shumë vetë qeshën në një lokal të thjeshtë të një fshati malor në Veri, kur njëri prej burrave që po shikonte lajmet tha me humor të trishtë: Mirë që s’i ka shkue menja me i pre shiritat për s’gjati se pat me na lanë k’tu gjithë diten! Duke qenë kështu, duke qenë se fushata e Partisë Demokratike është përqendruar te një rreth fare i ngushtë personash, duke qenë se ende nuk është thënë qartë e shkoqur se çfarë është bërë mirë apo keq në këta tetë vjet dhe, sidomos, se çfarë e si kanë ndër mend të bëjnë më mirë në katër vitet e ardhshëm, në qytetarin e thjeshtë, sidomos në atë që nuk është militant i askujt, lind ai mendimi i famshëm gati-gati i ndrojtur: Po sikur ta provojmë një herë këtë tjetrin moj grua!
Me siguri nuk ka asnjë urdhër të shkruar, sepse përndryshe do të ishte një skandal i madh, por ka shumë të dhëna të pakundërshtueshme (kujtoni “Fiks Fare” të para disa ditëve) që shteti i detyron nëpunësit e tij, madje edhe punonjësit fare të thjeshtë të piramidës shtetërore si bahçevanët për shembull, që të paraqiten në zyrat elektorale të PD-së në zonat ku banojnë dhe të shfaqin fare hapur përkatësinë e tyre politike. Kuptohet që shumë vetë këtë e bëjnë nga halli. Pastaj është përhapur edhe një parullë tjetër, sipas së cilës, secila votë do të shënohet dhe kështu do të kuptohen ata që janë pro dhe ata që janë kundër. Kështu që na rroftë vota e lirë. Nëse do të ruajë një fije dinjiteti për veten dhe për njerëzit me të cilët ka punuar në këto tetë vjet, vetë Berisha duhet të lërë një shirit mangët dhe të dalë t’u flasë nëpunësve të terrorizuar, se ata duhet ta hedhin votën atje ku e mendojnë, për interes, për ide, për miqësi, për…, por ama duhet t’ua thotë e t’ua përsërisë se asnjë nuk do lëndohet për hir të votimit pro, apo kundër, apo për hir të mendimit. Nëse e bën, atëherë do t’i bëjë mirë vendit, demokracisë, partisë së tij, madje edhe vetë atij personalisht. Nëse hesht, atëherë kjo do të thotë, sikurse janë të bindur plot vetë, se ai vetë është ideatori i krijimit të kësaj kategorie njerëzish që mendojnë ndryshe e flasin ndryshe, servilë nga halli, frika, interesi, injoranca, pasiguria për të ardhmen. Një njeri që voton i detyruar, është pak a shumë i njëjtë me votuesin e kohës së komunizmit, që jo vetëm duhej të votonte pro Frontit, por të shkonte para kutisë që pa gdhirë, pastaj të buzëqeshte me ngërç dhe, më në fund, në të dalë e sipër, duhej të përshëndeste me grusht dhe të brohoriste: Vota jonë plumb për armikun! Po atëherë ia paskemi këputur me nder p… në këta dy dhjetëvjeçarë! Kështu nuk ka as zgjedhje të lira dhe as demokraci. Të gjitha ato që paskemi dëgjuar deri më tani paskan qenë vetëm reklama për mollë të sheqerosura, por plot krimba nga brenda.
Nga ana tjetër, socialistët kanë një atu të fortë. Çdokush, çdo parti, që rri në pushtet për një kohë të gjatë, pavarësisht sukseseve – shumë prej të cilave i afron vetë koha dhe puna e miliona shqiptarëve të ndershëm – rrezikon të bjerë në atë që mund ta quajmë me plot gojën dekadenca e pushtetit. Me kalimin e kohës, krijohen grupe të caktuara interesi, të lidhura me një mijë e një fije interesash, të cilat pak nga pak e kthejnë shtetin nga një shërbëtor i bindur i qytetarëve, sikurse duhet të jetë, në një përbindësh financiar shpërfillës. Liderët politikë harrojnë se nga kanë dalë, çfarë rruge të vështirë kanë bërë dhe si kanë mbërritur deri në krye. Befas u duket se e meritojnë salltanetin, udhëtimet e shpeshta jashtë, veshjet e kushtueshme, shkollimin e fëmijëve ndër kolegje, firmat private në emër të grave. Kështu kthehen në kastë dhe i kundërvihen popullit të fjetur, sikur të jenë padronë të skllevërve të qëmotit. Kështu ndodh kudo, jo vetëm në Shqipëri, porse te ne duhet të shtojmë edhe injorancën mbi demokracinë dhe shtetin, lidhjet primitive krahinore, fisnore, të krushqive. Ja përse Shqipëria që ëndërronim në ‘90 nuk është gjë tjetër veçse një zhgjëndërr.
Megjithatë, megjithëse e kanë këtë atu të fortë në dorë, me gjithë bashkimin fizik të votës së të majtës (megjithëse ky term në Shqipëri ha fort diskutim), Rama dhe njerëzit e tij po bëjnë një gabim që mbase do t’ua pakësojë votat. Janë duke u marrë vetëm me një person të vetëm: me Berishën. Ky përbën tashmë një histori të vjetër. Ka shumë që e vlerësojnë për motive jo vetëm interesi, por për motive origjine, krahinore, besimi dhe të tjera si këto. Ka thjesht që e duan sepse tek ai shohin modelin e realizuar të vetes. Ka po aq të tjerë që nuk e honepsin. Çfarë të rejash të tjera mund të thuhen në një fushatë elektorale mbi personazhin historik Sali Berisha?
Që njerëzit të shkonin të qetë, me bindje të plotë për atë që do votojnë, që vota të kishte një peshë hijerëndë dhe të mos ishte thjesht një copë letër pa vlerë, atëherë debati elektoral duhej bërë në rrafshin e ideve, planeve, qëllimeve. Por kjo, me sa duket, nuk ka gjasë të ngjasë. Dhe sërish ne do të shkojmë në votime si shalqi me provë: Pa ta provojmë një herë se si do të na dalë ky! Në fakt, para se provën t’ua bëjmë të tjerëve, duhet t’ia bëjmë një herë vetes: A jemi të bindur se po votojmë drejt ndryshimit, së ardhmes, demokracisë, lirisë? Apo kemi mbetur thjesht numra ndër lista dhe jo njerëz të vërtetë?
Top Channel