Laçi fiton Kupën e Shqipërisë

18/05/2013 01:10

Laçi është fituesi i Kupës së Shqipërisë, pasi mundi në finale, pas 120 minutash lojë, 1-0 skuadrën e Bylisit.

Laçianët, të drejtuar nga Stavri Nica, e fitojnë për herë të parë këtë trofe, i cili përveç objektivave historikë dhe monetarë do t’i japë mundësinë kësaj skuadre të përfaqësojë Shqipërinë në Ligën e Europës.

Një finale dramatike kjo për skuadrën e Bylisit, e cila, edhe pse luajti për më shumë se 100 minuta me 10 lojtarë, për shkak të daljes me të kuq të Arifajt, arriti të mbajë rezultatin e paprekur deri në minutën e fundit të kohës së dytë shtesë.

Pikërisht në këtë moment, Emiljano Çela shfrytëzoi vendosjen e gabuar të mbrojtjes ballshiote dhe zhbllokoi rezultatin pas 119 minutash.

Ato pak sekonda që mbetën nuk i mjaftuan ballshiotëve, që të bënin surprizën në “Qemal Stafa” dhe të çonin ndeshjen drejt gjuajtjeve të 11-metërshave. Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoj, ka fajësuar gjyqtarin Pashai për humbjen e skuadrës së tij.

“Më vjen keq, që skuadra më e mirë nuk e mori Kupën. Le të analizojë edhe njëherë Bardhyl Pashaj, çfarë regjisori ka qenë i filmit sot, për të marrë Kupën ekipi i Laçit. Laçi sot çdo gjë ka luajtur, vetëm futboll jo, ndaj më vjen inat. Kam pasur shumë besim te Bardhyl Pashaj, sepse kundër Skënderbeut në Korçë ka arbitruar shkëlqyeshëm, por më besoni, më ka befasuar shumë sot Bardhyl Pashaj me arbitrimin”, tha Naxhi Shensoji, trajner i skuadrës së Bylisit.

“Kur humb, edhe unë në ato pozita dal. Gjithmonë gjykojmë të tjerët. Nuk kemi skuadra që të kemi ekuilibër në këto evenimente, sidomos në finale, sepse duhet të kesh lojtarë me përvojë, duhet të kesh luajtur nëpër evenimente të tilla. Do lojtarë më cilësorë, sidomos në vijën e sulmit, sepse kemi probleme në linjat e krahëve, të majtë e të djathtë”, tha Stravri Nica, trajner i skuadrës së Laçit.

Skuadra e Laçit, që është dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë, do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Europa League.

Top Channel