Bundesliga ul siparin!

18/05/2013 00:00

Kampionati gjerman i futbollit jep verdiktet e fundit për këtë sezon. Lufta në 90 minutëshin e fundit u bë në zonën e rënies nga kategoria dhe në atë për zonën europiane.

Përsa i përket fundit të tabelës, Hofenhajmi bëri mrekullinë duke kaluar në playout pasi mundi Borusian e Dortmundit në Vestfalenshtadion me rezultatin 2-1. Skuadra e Klop kaloi në avantazh me Robert Levandovskin. Në minutat e fundit të takimit Hofenhajmi fitoi 2 penallti të njëpasnjëshme që u shdnërruan në gola nga Salihovic, ndërkohë që Vajdenfeler u ndëshkua me karton të kuq. Dortmundi barazoi në minutat shtesë, por goli u anulua nga abitri i ndeshjes për pozicion jashtë loje të futbollistëve të tij.

Në playout Hofenhajmi do të luajë me Kaizerslautern për të tentuar qëndrimin përfundimtarë në Bundesligë. Shalke 04 siguron zonën e Ligës së Kampioneve duke u renditur në vendin e katërt pasi fitoi ndeshjen e fundit të kampionatit me Frajburgun 2-1. Draksler në pjesën e parë dhe Shuster me autogolin e tij vendosën fatin e këtij takimi në favor të Shalkes, ndërkohë që Shmid shënoi golin e barazimit të përkohshëm për Frajburgun.

Borusia Mynshengladbah dhe Bajerni i Mynihut dhuruan spektakël në fushën e lojës në ndeshjen e fundit të Hejnkes në pankinën e skuadrës bavareze. Në fund e fituar doli kampionia e Gjermanisë që e mbylli takimin 4-3. Pjesa e parë u mbyll 3-2 për Mynshengladbahun me gola të shënuar nga Shtranzel, Hanke dhe Nordvajt, ndërkohë që autorët e golave për Bajernin ishin Havi Martinez dhe Riberi. Në 45 minutat e dyta, Bajerni e ktheu situatën në favor të tij. Riberi me një gjuajtje spektakolare barazoi shifrat në 3-3, ndërsa Robben i dhuroi fitoren skuadrës së tij duke shënuar golin e katërt. Fitore shënoi edhe Bajer Leverkusen që mundi Hanovërin 1-0 falë golit të Kisling në minutat shtesë të ndeshjes.

Verdiktet e tjera që u dhanë në këtë javë të fundit të kampionatit gjerman janë hyrja në zonën e Europa Leageue të Frajbvurgut dhe Ajntrahit, ndërkohë që në këtë eveniment do të marrë pjesë edhe Shtutgarti si finaliste e Kupës së Gjermanisë. Ndërsa Fortuna Dyseldorf dhe Grojter Fyrth zbresin në Bundesliga 2.

Top Channel