Milan, Berlusconi: Allegri do kalojë te Roma

17/05/2013 04:20

Massimiliano Allegri drejt Romës? Ai që ndez zërat e merkatos, këtë herë, është jo më pak se vet presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, i cili i pyetur në dalje të Pallatit të Kongreseve në Romë, – në përfundim të darkës elektorale me kryebashkiakun Alemanno, – nga një gazetar i një uebsajti roman, ka lëshuar një batutë mbi të ardhmen e trajnerit të tij.

Pyetjes precize të gazetarit, ai i është përgjgjur me gjysmë buzëqeshje: “Allegri? Do të shkojë te Roma, njoftimi do të bëhet pas ndeshjes me Sienën”. Toni i zërit, sipas të pranishmëve, është dukur si tallës, por është normale të dyshosh; është vetëm një batutë, apo pas saj fshihet e vërteta për të ardhmen e teknikut livornez?

Sigurisht, 48 orë para transfertës delikate me Sienën, që do të vendosë nëse Milani do të konfirmojë vendin e tretë, që vlen një kualifikim në Champions, këto deklarata do të trazonin rëndë ambientin kuqezi. Por edhe atë verdhekuq…

Top Channel