F1, Raikkonen: Monako, gara më e veçantë

17/05/2013 21:55

Kimi Raikkonen po pret me padurim garën e Monakos, e gjashta sezonale e botërorit të Formulës 1. Finlandezi i Lotus e konsideron cirkuitin monegask si “shumë të vështirë”, por edhe më të veçantin e kalendarit.

“Nuk ka garë më të veçantë se ajo e Monakos. Nuk ka ndjenjë më të bukur se garimi në cirkuitin e Montekarlos. Është ndryshe nga provat e tjera të botërorit”, theksoi Raikkonen, i cili këtë garë e ka fituar në vitin 2005.

“Atë ditë u ndjeva shumë i lumtur dhe do të ishte fantastike të provoja sërish fitoren”, shtoi “Njeriu i Akullt”.

Kimi Raikkonen vuri në dukje dhe vështirësitë e pistës: “Është shumë e ngushtë dhe do shumë përqendrim. Është gati e pamundur të parakalosh dhe duhet të shohim sjelljen e gomave në pistë për të menduar një strategji gare të mirë. Gjithsesi, e rëndësishme është të nisesh nga vendet e para në këtë garë.”

Top Channel