Dy nga pesë personat që të martën u arratisën nga një burg i Lozanës janë kapur nga policia zvicerane.
Sipas agjencive lokale të lajmeve, në pranga kanë rënë 34-vjeçari shqiptar dhe 22-vjeçari nga Kosova, të cilët janë kapur njëri në Lozanë dhe tjetri në kantonin e Lucernit.
Sipas burimeve, bashkë me dy personat në fjalë janë arrestuar edhe dy persona të tjerë që ndihmuan në arratisjen spektakolare.
Dy të arratisurit e vënë në pranga janë dënuar njëri për krime të lidhura me trafikun e drogës dhe tjetri për grabitje. Për kapjen e tyre u angazhuan 80 agjentë policie.
Ndërkohë, në arrati vazhdojnë të jenë tre të dënuarit e tjerë, një shtetas serb, i konsideruar si truri i arratisë, një boshnjak dhe një francez.
Shtetasi serb është anëtar i bandës kriminale me emrin “Pink Panther”, e njohur për grabitje spektakolare në dyqanet evropiane të bizhuterive. Edhe dy të tjerët janë dënuar gjithashtu për krime të rënda.
Arratisja ndodhI gjatë orës së ajrisjes së të dënuarve, të cilët u ndihmuan nga disa bashkëpunëtorë nga jashtë burgut. Këta të fundit vendosën një shkallë të gjatë metalike në muret rrethuese të burgut dhe hodhën brenda kompleksit një thes me armë.
Të pajisur me armët në fjalë, një pistoletë dhe mjete të tjera, të burgosurit mundën të neutralizonin gardianët dhe u larguan. Vetëm njëri prej tyre, kombsia e të cilit nuk dihet, u kap nga gardianët gjatë tëntativës për arratisje.
Policia e kantonit të Vaudit ka angazhuar një numër të madh agjentësh që po zhvillojnë një gjueti të vërtetë për kapjen e të burgosurve.
Top Channel