Shkenca shënon një hap përpara në klonimin e njeriut.

Janë embrione të klonuara, që mund të përdoren si burim i qelizave staminale, me të cilat mund të krijohen zemra, muskujt, kockat, cipa që mbështjell trurin, apo të gjithë qelizat e trupit të njeriut.

Studimi u publikua në revistën shkencore “Cell”. Klonimi i embrioneve u arrit nga Universiteti i Oregonit, duke përdorur të njëjtat metoda, që sollën në jetë delen “Dolli” në Britaninë e Madhe, në vitin 1996.

Ata zhvilluan embrionin deri në fazën e krijimit të rreth 150 qelizave, të mjaftueshme për t’u konsideruar embrionale.

Qeliza të lëkurës u morën te një i rritur dhe informacioni genetik u vendos brenda një veze të dhuruar, të cilës i ishte hequr ADN-ja. Më pas përdoret energji elektrike, për të nxitur zhvillimin e vezës në një embrion.

Qelizat staminale shihen si shpresa për të ardhmen e mjekësisë, por ka dhe nga ata, që e kundërshtojnë përdorimin e tyre, me argumentin se embrionet, të krijuar në laborator ose jo, janë qenie njerëzore që do të rriten dhe, pikërisht për këtë arsye, është e pamoralshme të kryen me ta eksperimente.

Top Channel