“Neymar ka firmosur me Bayern Munich”

16/05/2013 05:00

Në fillim Champions League dhe më pas goditja e merkatos verore: të sjellin Neymar në Europë.

Bayern Munich ka arritur parakalimin e pabesueshëm në dëm të Barcelonës, për të afruar talentin brazilian, teksa njoftimi vjen direkt nga Brazili.

“Neymar ka firmosur për Bayern”, ka deklaruar Vicente Cascione, ish-zëvendës president i Santos-it. Në tavolinë janë hedhur plot 60 milionë euro dhe një pagë prej 7 milionë në vit, për një kontratë 5-vjeçare.

Pas zyrtarizimit të Pep Guardiola-s, klubi bavarez është gati të surprizojë të gjithë, duke u futur me superpotencë në “flirtin” mes Neymar dhe Barcelonës, të lindur prej kohësh tashmë.

Nga Gjermania kanë ardhur vetëm përgënjeshtrime, ndaj fjalëve të qarta të Vicente Cascione: “Nga muaji gusht, Neymar do të jetë pjesë e ekipit të Bayern-it. Është folur shpesh për Spanjën, por destinacioni i tij është Bavaria. Ka firmosur për Bayern-in”.

Një vetëtimë në qiell të hapur, i cili ka lënë të habitur të gjithë, si në Spanjë, edhe në Gjermani. Parakontrata mes Barcelonës dhe Santos-it, parashikonte një opsion për transferimin e tij, por të vlefshëm pas Botërorit 2014, për vlerën e 40 milionë eurove.

Bayern Munich, klubi më i pasur në botë, ka ndryshuar kartat në tavolinë, duke ofruar plot 60 milionë euro. Vendimi i fundit, sigurisht, i përket Neymar.

Top Channel