Elhaida Dani mahnit Italinë

16/05/2013 23:10

Nëse deri tani Elhaida Dani, këngëtarja shqiptare që po konkuron në edicionin e “The Voice of Italy”, është konsideruar shumë e talentuar, tani e tutje ajo kapërceu këtë përcaktim dhe po konsiderohet mahnitëse.

Në mbrëmjen e sotme, ajo këndoi “Adagio” të Lara Fabian, një këngë tëpër e vështirë, por që arriti ta interpretojë në mënyrë të madhërishme.

Mes lotëve ajo përfundoi interpretimin e saj, që emocionoi jurinë e me sa duket edhe publikun.

Pasi rrëmbeu vlerësimin e jurisë me talentin e saj, po fiton zemrat e telespektatorëve, mijëra prej të cilëve e televotuan, duke e çuar kështu drejtpërsëdrejti në gjysmëfinale.

Këngëtarja Noemi, anëtare e jurisë, tha se kjo është një teknikë e lartë në shërbim të një emocioni të madh, ndërsa Raffaella Carra e akuzoi, me shaka, se ka thyer abazhurët me fuqinë e zërit.

Riccardo Cocciante, ky i fundit e ka Elhaidën në grupin e tij, nuk diti ta fshehë mallëngjimin.

Në rrjetet sociale. Elhaida konsiderohet prej kohësh si fituese. Por, pas interpretimit të sotëm, shumë të tjerë e ngrenë në qiell.

Brënda pak minutave qindra komente e lëvdata për 19-vjeçaren me origjinë nga Shkodra, e cila vetëm një vit më parë ka fituar “Top Fest” në Top Channel, me këngën “S’je më”.

Tanimë, për Elhaidën duket se nuk ka më kufij e pengesa, zëri dhe talenti i saj sonte hynë në çdo shtëpi e zemër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA