Është i ri, i famshëm dhe i adhuruar nga njerëz në të gjithë botën. Të paktën në ato vende ku librat e tij, shumica e të cilëve të kthyer në bestseller, kanë tërhequr miliona lexues.
Edhe pse vetëm 38 vjeç, shkrimtari francez David Foenkinos është përkthyer në 30 gjuhë të botës. Ndër veprat e tij më të famshme është “Delikatesa”, e cila prej disa muajsh gjendet edhe në libraritë e vendit, e shqipëruar nga Edmond Tupja.
Njëkohësisht një ndër librat më të shitur në botë, romani i shkruar në vitin 2009 u kthye edhe në një film po aq të suksesshëm një vit më vonë, skenarin e të cilit e shkroi vetë Foenkinos, në bashkëpunim me të vëllanë, Stephane Foenkinos.
“Delikatesa” është një histori dashurie e ëmbël dhe delikate, mbi aftësinë e zemrës për t’u ripërtërirë e për të gjetur një agim të ri edhe pas humbjes më të madhe.
Kjo vepër e Foenkinos ka fituar dhjetë çmime letrare, mes tyre “Conversation” dhe “Des Dunes”. “Delikatesa” tërhoqi vëmendjen e gazetave më prestigjioze franceze dhe botërore, të cilat vlerësuan logjikën dhe arsyen që përdor David Foenkinos në dramat dhe lidhjet e reja të dashurisë.
Foenkinos, i cili dikur ishte profesor kitare, ka shkruar edhe romanet “Ne rast se lumturia…”, “Bernard”, “Lennon”, “Kujtimet”, dhe “Ndarjet tona”.
Top Channel