F1, kush përfiton nga ndryshimi i gomave

15/05/2013 00:00

Kampionët e botës në Formula 1, “Red Bull” mund të përfitojnë nga
ndryshimi i gomave që do të bëhet muajin e ardhshëm në Çmimin e
Kanadasë, të cilat do të jenë më të forta dhe më rezistente.

Lajmin e ndryshimit e ka bërë të ditur gjigandi “Pirelli”. Drejtori i kompanisë italiane, Paul Hembery shpresonte se nuk do të ishte kështu, por ja që ndodhi e kundërta.

“Ka pasur shqetësime nga disa prej skuderive se ndryshimi i gomave do të favorizojë njërin ekip apo tjetrin, por ne nuk mendojmë se është kështu”, ka thënë Hembery.

Sipas tij, këto ndryshime bëhen vetëm për ata që përdorin “Pirelli” dhe jo për të tjerë, “për këtë arsye ne duhet t’i balancojmë gjërat”.

“Pirelli” njoftoi më herët se ndryshimet në strukturën dhe përbërjen e gomave do të bëhet për Çmimin e Kanadasë, në Montreal, gara e shtatë e 19 garave në total që ka ky sezon e që do të zhvillohet më 9 qershor.

Drejtuesit e kompanisë kishin thënë më parë se nuk do të bënin ndryshime pa u zhvilluar më parë Çmimi i Britanisë, por mesa duket ndryshuan mendje pas garës së të dielës në Barcelonë.

Top Channel