Racizmi, Prandelli: Ndërprisni ndeshjet!

14/05/2013 05:00

“Të dielën u dha një sinjal preciz. Mendoj se përpara episodeve të tilla në të ardhmen, nuk do të ketë më një ndërprerje të përkohshme, por ndërprerje të ndeshjes”.

Kështu është shprehur trajneri i kombëtares italiane, Cesare Prandelli, pas koreve raciste ndaj sulmuesit të Milanit, Mario Balotelli, të cilat çuan në ndërprerjen e ndeshjes Milan-Roma për pak minuta.

Prandelli ka sqaruar më pas se “nuk është një problem i Balotelli-t, por i besueshmërisë së futbollit tonë. Mendoj se tani do të kemi një linjë më precize, arbitri ka mundësinë për të ndalur lojën, si të dielën, por edhe ndeshjen”, shton Prandelli, përpara se të merrte çmimin “Gentleman Internazionale” në Milano.

“Nuk është e nevojshme vetëm të indinjohemi, por t’i themi mjaft në mënyra të qarta vajtjes në stadium për këto gjëra. Një stadium me rregulla të qarta ndihmon shumë, si ai i Juventusit. Nëse tifozi ndihet keq në shtëpi, duhet të mendohet dy herë përpara se të bëjë gjëra anormale. Të gjithë të jemi të përgjegjshëm, edhe tifozët duhet të indinjohen përpara sulmeve ofenduese”.

Nuk mund të mungonte edhe një pyetje në lidhje me merkaton, pas zërave që e shohin atë si trajnerin e ardhshëm të Milanit: “Objektivi është Botërori 2014. Për momentin po mendojmë se si të shkojmë sa më shpejt të jetë e mundur në Brazil, – sqaron trajneri axurr – jemi në një pozicion të mirë në eliminatore. Më pas do të synojmë të paraqitemi mirë gjatë Botërorit”.

Top Channel