Juve, Agnelli: Conte s’do parà, por fitore

14/05/2013 03:00

E ardhmja e Antonio Conte-s, tashmë është disi më e qartë. Ka menduar Andrea Agnelli për të spastruar situatën nga çdo keqkuptim.

“Conte nuk ka kërkuar parà, por garanci për të vazhduar fitoret – shpjegon presidenti i Juventus-it për Sky. – Këto garanci janë. Tashmë do të vlerësojmë së bashku me të, se cilët elementë na duhen për të arritur këtë objektiv. Të gjithë juventinët presin të fitojnë, gjë që duket diçka normale, por jo gjithmonë arrihet”.

“Conte ka vlerësuar situatën së bashku me ne – ka shtuar Agnelli, – duke na kërkuar sqarime për të ardhmen. Por këto nuk mund t’ia japë askush. Shoqëria ka ambicie për të vazhduar me fitoret, aq e vërtetë është kjo sa që ditën pas titullit jemi takuar si drejtues e trajner, për vlerësimet e situatës aktuale. Antonio mund të qëndrojë i qetë: për sa kohë të jem unë te Juventus, uria për fitore nuk do të shuhet kurrë. Me të është gjithçka e zgjidhur”.

Por, Conte nuk ka mirëpritur deklaratat e presidentit dhe, sipas burimeve të mirëinformuara, ndihet si i prekshëm dhe jo i paprekshëm te Juve.

Përpara një feste të organizuar nga klubet e tifozëve bardhezinj, i është përgjigjur kështu gazetarëve, që i kanë kërkuar nëse është arritur akordi për qëndrimin e tij te Juve: “Në fillim dua të lexoj fjalët e presidentit, më pas do të flas”.

Top Channel