F1, Domenicali: Dhamë përgjigjen e duhur

14/05/2013 20:40

Shefi i Ferrarit, Stefano Domenicali, është shumë i kënaqur me rendimentin e skuderisë së tij në Cmimin e Madh të Spanjës ku Fernando Alonso fitoi, ndërsa Felipe Massa doli i treti.

“Pas rezultateve të provave zyrtare, kjo ishte përgjigja më e mirë që mund të jepnim. Përballuam kundërshtarë shumë të fortë, por e dimë që kemi ende punë për të përmirësuar makinën, sidomos të shtunave”, theksoi Domenicali.

E di mirë që ky vit duhet të jetë viti i titullit dhe Domenicali beson se mund të arrijnë objektivin: “Morëm 40 pikë shumë të rëndësishme në Barcelonë. Alonso u kthye tek fitorja me një garë të madhe. U tregua agresiv atëherë kur duhej dhe ruajti gomat kur ishte koha për të menaxhuar avantazhin. Shkurtoi diferencën në klasifikim dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme.”

Fernando Alonso renditet i treti në klasifikimin e pilotëve, 17 pikë pas Vettel (Red Bull) dhe 13 pikë pas Raikkonen (Lotus), ndërsa Ferrari renditet i dyti në klasifikimin e konstruktorëve me 117 pikë, 14 pas Red Bull.

Top Channel