
Brad Pitt e ka cilësuar si “heroik” vendimin që mori partnerja e tij Angelina Jolie për të hequr gjinjtë pasi kishte 87% mundësi për t’u prekur nga kanceri i gjirit.
Protagonisti i ‘Fight Club’ u shpreh nëpërmjet një komunikate për shtyp se lajmi i mastektomisë së dyfishtë është shumë i mirë për familjen e tij.
“Është një vendim heroik i Angelina, ashtu si shumë vendime të tjera në jetën e saj. Falenderoj ekipin mjekësor për kujdesin që treguan për të. Uroj që të ketë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme me mua dhe fëmijët. Kjo është një ditë e lumtur për familjen tonë.”
37-vjeçarja mori vendimin për t’iu nënshtruar procedurave në muajin shkurt, pasi mësoi se ishte bartëse e genit kancerogjen BRCA1. Nëna e saj, Marcheline Bertrand vdiq në moshën 56-vjecare nga kanceri i vezoreve, dhe vetë Angelina ka 50 për qind rrezik të preket nga kjo sëmundje.
Në një shkrim editorial të publikuar në gazetën ‘New York Times’, me titull “My Medical Choise”, Angelina shpjegon vendimin e saj duke bërë të ditur se procedurat nisën në muajin shkurt, ndërsa operacioni ristrukturues u krye në 20 prill.
“Doktorët vlerësuan se unë kisha 87 për qind rrezik për t’u prekur nga kanceri i gjirit dhe 50 për qind nga kanceri ne vezore. Rreziku është i ndryshëm në gra të ndryshme. Pasi e kuptova që ky ishte realiteti im, vendosa të jem proaktive dhe të minimizoja rrezikun sa të mundja. Kështu bëra ndërhyrjen për heqjen e të dy gjinjve të mi, pasi rreziku aty ishte shumë më i lartë se sa në vezore dhe se ndërhyrja ishte shumë komplekse. Në 27 prill përfundova tre muaj procedura mjekësore. Gjatë kësaj kohe arrita ta mbaj të fshehtë gjithë këtë proces dhe të vazhdoja me punën time”, shkruan Angelina.
Operacioni ishte i suksesshëm dhe mjekët thonë se shanset që Angelina ka për të patur kancer gjiri janë më pak se 5 për qind.
“Desha të shkruaja këtë për t’i thënë grave kudo se i gjithë procesi ishte i vështirë, por unë jam e lumtur që ia dola mbanë. Shanset e mia për të patur kancer gjiri janë më pak se 5 për qind. Unë mund t’u them fëmijëve të mi se ata nuk kanë përse të kenë frikë se do më humbin për këtë shkak”, shkruan Angelina.
Aktorja shpreh falenderimin për mbështetjen që i dha partneri i saj Brad Pitt dhe shton se gjatë trajtimit ka patur pranë fëmijët e saj.
Angelina siguron të gjithë lexuesit se fakti që hoqi të dy gjinjtë dhe i ristrukturoi ata nuk ka sjellë asnjë problem në mënyrën e saj të të ndjerit grua.
“Tani nuk ndihem më pak grua. Nuk ndjej në asnjë moment që feminiliteti im ka rënë”, shkruan Angelina.
Top Channel