Milan, vetëm barazim me Romën

13/05/2013 00:00

Milani duhet të presë 90 minutat e fundit për të siguruar përfundimisht vendin e tretë në Serinë A që i lejon atij të luajë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.

Në San Siro kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 me Romën dhe tashmë e shohin veten vetëm 2 pikë larg Fiorentinës. Ishte një ndeshje ku skuadrat bënë një lojë të hapur dhe rastet për shënim nuk munguan.

Markinjo dhe Toti nga njëra anë, Muntari e Boateng nga ana tjetër patën shanset e tyre për të zhbllokuar, por nuk mundën. Në fundin e pjesës së parë gjërat u komplikuan për Milanin që mbeti me 10 lojtarë pasi Muntari u ndëshkua me karton të kuq për protesta të ashpra ndaj arbitrit.

Sfida u ndërpre për disa minuta nga arbitri i ndeshjes për shkak të koreve raciste kundrejt Mario Balotelit. Më pas, gjithçka u zhvillua normalisht, ndërkohë që në minutat shtesë edhe Roma mbeti me 10 lojtarë pasi Francesko Totti ui ndëshkua me karton të kuq.

Gjithsesi, rezultati në fundin e takimit nuk ndryshoi me skuadrat që dolën nga fusha me nga 1 pikë secila

Lacio përshëndet publikun e saj me fitore. Në Olimpiko të Romës skuadra e drejtuar nga Petkovic mundi Sampdorian me rezultatin 2-0 duke u ngjitur në kuotën e 61 pikëve dhe në javën e fundit do të kërkojë të hyjë në zonën e Europa League. Flokari  kaloi lacialët në avantazh në minutën e dhjetë të ndeshjes, ndërkohë që në minutrat shtesë, Kandreva vulosi përfundimisht fitoren për skuadrën e tij.

Fitore arriti edhe Napoli që mundi Sienën me rezultatin 2-1. Ishte skuadra toskane ajo që shënoi e para me Grilon, por Napoli përmbysi gjithçka në këtë ndeshje. Kavani barazoi rezultatin në minutën e 73, ndërsa Hamshik shënoi golin e fitores për skuadrën e drejtuar nga Maxarri.

Udineze shënon një tjetër sukses. Këtë radhë skuadra friulane mundi Atalantën 2-1, fitore kjo që është e shtata radhazi për të, gjë që përbën një rekord më vete. Atalanta mori avantazhin me De Lukën, por Udineze e ktheu ndeshjen në favor të saj falë të zakonshmit Antonio Di Natale, autor i të dy golave për Udinezen.
 
Në ndeshjet e tjera, Xhenoa barazoi me Interin 0-0 duke siguruar përfundimisht qëndrimin në Serinë A. Fiorentina mundi Palermon 1-0 duke e zbritur skuadrën siçiliane një kategori më poshtë, ndërsa ndeshja mes Kievos dhe Torinos përfundoi 1-1.

Top Channel