Dy vrasje brenda pak orësh

13/05/2013 00:00

Një grindje banale mes adoleshentësh është mbyllur me vdekjen e një
15-vjeçari në qytetin e Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi në sektorin
”Iliria” të zonë se plazhit.

Xhulio Leka, që ende nuk ka mbushur 18 vjeç, raportohet të jetë autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit Fatos Daci. Nga hetimet e para rezultoi se krimi ka ndodhur për motive banale gjatë një grindjeje të çastit mes adoleshentëve.

Të dy, banorë të plazhit, kanë qenë në një internet kafe të zonës, ku dhe kanë nisur të grinden. Autori e ka goditur disa herë me thikë në sherr e sipër 15-vjeçarin Daci, i cili nuk ka mundur të mbijetojë. Vetëm pak çaste pas mbërritjes në Spitalin rajonal të Durrësit, ai është ndarë nga jeta, ndërsa autori ishte larguar nga vendngjarja.

Në kohë rekord, shërbimet e policisë të ndihmuara nga dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë bërë identifikimin e të dyshuarit dhe kapjen e tij. Muajin e kaluar, një 17-vjeçar mbeti i plagosur rëndë në zonën e plazhit, gjate nje tjeter konflikti mes te rinjsh në një internet kafe të plazhit.

Po sot në Elbasan, pas një sherri me thika, në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada”, mbeti i plagosur një 16-vjeçar.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, një bashkëmoshatar, jo nxënës i kësaj shkolle, është futur brenda ambienteve të saj, nga ku ka nisur debati mes të dy adoleshentëve.

Më pas, grindja e tyre është zhvendosur jashtë ambienteve të shkollës, ku ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta.

Përmet, ekzekutohet 28-vjeçari

Viktima, pre e një atentati teksa kthehej nga puna

Një i ri 28-vjeçar është vrarë pasditen e së hënës në Përmet, pasi është qëlluar disa herë me armë zjarri nga persona të panjohur.

Sipas autoriteteve policore lokale, shtetasi Andi Naçi është qëlluar teksa zbriste nga një taksi në Grykën e Këlcyrës dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve.

Motivet e vrasjes janë për momentin të paqarta dhe autori ose autorët të paidentifikuar, nënvizojnë burimet. Nga hetimet e para është mësuar vetëm se viktima po kthehej nga puna pasi punonte si inspektor mjedisi.

Top Channel