Afganistan, atentati u merr jetën 10 civilëve

13/05/2013 16:20

Në jug të Afganistanit janë rikthyer atentatet e përgjakshme, më i fundit i të cilëve ka marrë jetët e 10 civilëve, përfshirë këtu gra e fëmijë.

Automjeti me të cilin udhëtonin viktimat shkeli në një bombë të improvizuar në provincën e Kandaharit. Nga shpërthimi mbetën të plagosur 12 vetë.

Deri tani asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë e sulmit, që sipas autoriteteve vendase mund të jetë pjesë e ofensivës së përvitshme pranverore të talebanëve, të nisur në fund të prillit.

Sulmet ndodhin në një moment kur NATO po i kalon kompetencat e sigurisë në duart e forcave vendase.

Madje, në disa prej provincave të ashtuquajtura të qeta, ku sulmet dhe aktiviteti i militantëve është me intensitet të ulët, siguria ka kaluar plotësisht në duart e policisë dhe ushtrisë vendase.

100 mijë trupa të Aleancës ndodhen ende në Afganistan që funksionojnë në kuadër të ISAF. Tërheqja përfundimtare e tyre pritet të ndodhë në fund të 2014-ës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA