1Ilir YZEIRI – Panorama e medias shqiptare, në këta njëzet e ca vjet, qoftë ajo e shkruar, qoftë ajo audiovizive është një realitet ende i panjohur. Personalisht bëj pjesë ndër ata të paktë gazetarë – aktivë edhe sot – që u angazhuan në median e pasdiktaturës që në fillim.
Pas fitores së PD-së në zgjedhjet e 22 marsit 1991, me interesimin direkt të Sali Berishës u emërova kryeredaktor i gazetës “Zëri i Rinisë”, e cila, ashtu si shumë të tjera gazeta që ishin pronë e organizatave të masave, u zhdukën nga tregu pasi u shpërfytyruan nga orekse të njerëzve të uritur për pak qytet. Por kjo është një histori më vete. Le të kthehemi tek argumenti ynë.
Koçoja – personazhi i peshkopatës
Këto ditë, opinioni është bombarduar thuajse përditë me emrin e Koço Kokëdhimës. Kandidimi i tij në Vlorë dhe përfshirja në listën e PS-së që drejtohet nga Edi Rama, solli reagime nga më të ndryshmet dhe i përfshiu thuajse të gjithë aktorët e opinionbërjes. Personalisht i justifikoj reagimet e miqve të mi dhe gazetarëve virtuozë e mbrojtës të opinionit publik, Mero Baze e Mustafa Nano, ashtu siç nuk e mirëkuptoj Kokëdhimën me përgjigjet që u dha atyre. Në të njëjtën kohë mbështes tërësisht vështrimin e gazetarit me ndershmërinë më të madhe intelektuale në vend, Andrea Stefani, i cili, në kuadër të aksiomës për rotacion të pushtetit, e përligjte kandidimin e Kokëdhimës. Por, duke dëgjuar sharjet, fyerjet, denigrimin që i bën nga mëngjesi në darkë Sali Berisha dhe tellallët e tij Koço Kokëdhimës, kam mbetur pa frymë në shumë raste. Mirëpo, vetëm një çast se pastaj jam bindur përsëri se Berisha është politikani më i pabesë dhe më i pasinqertë në këtë vend. Politikani Sali Berisha e ka shkelur me këmbë njëqind herë njeriun Sali Berisha dhe këta të dy, Berisha politikan dhe Berisha njeri përbëjnë një dualitet amoral dhe johuman deri në skajin më të ulët. Pse? Do ta shpjegoj më poshtë. Po le të përmendim me shpejtësi disa episode të tjera. Me Koço Kokëdhimën kemi qenë bashkë studentë në të njëjtën periudhë, 1979-1983. Edhe godinat i kemi pasur ngjitur, 12-a ishte e Fakultetit të Shkencave dhe 13-a e Filologjisë. Në atë kohë në Qytetin Studenti ishte edhe biblioteka e kinoklubit “Studenti”, të cilën ne e shfrytëzonim në ndonjë rast për të marrë ÇRNS-të (çështje të revolucionit dhe ndërtimit socialist) e famshme që na duheshin për seminaret e PPSH-së. Kjo sallë, për shkak se shfrytëzohej nga studentët e matematikës, thirrej edhe “peshkopatë”, në kuptimin që peshkopata ishte vendi i zymtë ku studiohej ditë dhe natë. Njeriu që e hapte dhe e mbyllte peshkopatën, ishte Koço Kokëdhima, studenti i matematikës, që njihej nga të gjithë si një ndër më të mirët e kohës. Jo vetëm aq, po ky student nisi edhe një fakultet tjetër, atë të gjeologjisë dhe e përfundoi me të gjitha dhjeta edhe atë. Kur dëgjova atë ditë Kastriot Islamin duke gënjyer se i ka vënë 4 Kokëdhimës dhe ai ndaj e sulmon, më erdhën zorrët te gryka. Koçoja, për ne studentët e letërsisë, ishte bërë i famshëm edhe se dinte vëllimin me poezi të zgjedhura të Eseninit, thuajse të gjithin përmendësh. Më tej rrugët tona u ndanë. Koçoja kishte energji të jashtëzakonshme dhe ishte me një vullnet të paimagjinueshëm. Rasti e solli që të takoheshim prapë, por këtë radhë ai ishte një nga sipërmarrësit më seriozë të Shqipërisë dhe, për më tepër, kishte ndërtuar kompaninë e botimeve “Spektër” që përmblidhte, veç të tjerash, revistën “Spektër” dhe gazetën “Shekulli”. Jemi në vitin 2000 dhe në atë kohë drejtor i këtyre botimeve ishte Preç Zogaj, një nga figurat më të njohura të letërsisë dhe medias shqiptare. Vitet 1998, 1999 kanë qenë vitet më të vështira për gazetarët që rrinin pranë Berishës. Ata ishin tërësisht pa punë dhe mediat e reja që po krijoheshin, nuk i qasnin thuajse fare. Shqipëria ishte ndarë si me thikë dhe nga njëra anë ishte “Koha Jonë” dhe “Klan”, simbolet anti-Berishë “par exellence”, në anë tjetër “RD”, “Albania”, “TV Shijak” dhe përpjekjet e Mero Bazes për të ndërtuar një radio, pastaj një agjenci lajmesh, por pa asnjë lek, pa as më të voglën mbështetje financiare. PD-ja, pas ardhjes së Berishës nga Presidenca, kishte në arkë më pak se 100 dollarë. 4000 dollarët e fundit ishin shpenzuar nga kryetari i PD-së në ikje, Tritan Shehu për të rregulluar makinën në Greqi. Nuk kishte asnjë mundësi për të punuar. Edhe Ylli Rakipi ishte shpallur armik i PD-së dhe nuk fliste me Berishën. Kishte mbetur vetëm “RD”-ja që e paguante një shkrim 500 lekë. Në këto kushte punova për një farë kohe tek “Albania” si gazetar dhe një ditë u binda se duhet të gjeja diçka më serioze. Vendosa të takoj Preçin dhe i kërkova që të punoj në revistën “Spektër”. Ai, pasi bisedoi me Koçon, më ktheu përgjigje pozitive dhe kështu u ritakova përsëri me Kokëdhimën, por tani në role krejtësisht të ndryshme.
Kokëdhima e nxjerr nga strofulla Berishën dhe …i jep darkë në “Rogner”
Pas më pak se tre ose katër muaj në revistë, nisa të botoj edhe komente në gazetën që ishte bërë më e madhja, më autoritarja, më korrektja në Shqipëri. Komentet e mia ishin të gjitha me frymë pro opozitare dhe nuk kishin as edhe një censurim. Në këtë periudhë kam njohur Mustafa Nanon, që ishte bërë një nga analistët më të njohur në vend. Mirëpo Kokëdhima kishte plane të tjera dhe pas radios kërkonte të hapte edhe një TV, ndaj më shkëputi nga puna si gazetar dhe punoja pranë tij në grupin e këshilltarëve të medias. Gazeta “Shekulli”, megjithëse ndihej se ishte e majtë, përsëri kritikonte dhe investigonte aferat korruptive të qeverive socialiste. Në bisedat pa fund që bënim me Koçon deri në të gdhirë, sidomos në lulishten e “Rognerit” apo në shtëpinë e tij, ai, më se njëherë, më ka thënë se po jetojmë në një situatë të rrezikshme dhe këta (socialistët) duan të eliminojnë opozitën. Ne nuk duhet t’i lejojmë, thoshte Koçoja duke marrë shpeshherë edhe rolin e një “lideri” të rëndësishëm. Nuk ka demokraci në qoftë se nuk forcojmë opozitën, përsëriste ai. Sali Berisha është opozita sot, ndaj ai duhet respektuar dhe duhet ndihmuar. Kishin dështuar tentativat e Pollos për të bërë opozitë dhe ai, ashtu si sot, ishte në qeveri me qeveritarët e radhës, pra me socialistët. Berisha, sikur të mos mjaftonte kjo, më 28 nëntor 2000 provon për disa orë edhe zyrat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Më kujtohet se Koçoja këtë nuk e kapërdiu kurrë dhe menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai më kërkoi mua që të ndërmjetësoja për një takim të tijin me Berishën, i cili ishte tërësisht i izoluar dhe në zyrën e tij në PD më shumë nuk kishte drita, sesa kishte. Kështu, në një prej ditëve të nëntorit i telefonova Edës, sekretares së Berishës dhe i thashë që Koço Kokëdhima ka dëshirë ta takojë. Ai e priti me kënaqësi këtë kërkesë dhe në një natë të bukur Koço Kokëdhima ngjiti shkallët e PD-së dhe u fut në katin e dytë në zyrën e Berishës. Takimi shkoi shumë mirë dhe pas kësaj Koçoja e ftoi atë që të hanin bashkë një darkë në “Rogner” në mënyrë që ta përdorte daljen e tij si një sfidë ndaj qeverisë socialiste dhe medias që e mbështeste atë dhe t’u tregonte atyre se Berisha, si lider i opozitës, kishte mbështetjen e një pjese të madhe të elitës së biznesit, të intelektualëve, të medias e të shoqërisë civile. Sfida ishte shembullore. Në zgjedhjet e vitit 2001 Berisha ka pasur mbështetjen e Kokëdhimës dhe të mediave të tij. Por ngjarjet rrodhën ashtu siç rrodhën dhe në qoftë se Berisha nuk u eliminua nga grupi me këmisha të bardha që u mblodhën në zyrën e Meidanit për ta hequr Berishën si kryetar të opozitës, duke e filluar protestën nga Lezha, kjo përsëri është meritë e Koço Kokëdhimës, por për këtë e shumë të tjera do të ishte mirë të tregohej në një kohë tjetër.
Mosmirënjohja
Unë e kuptoj pragmatizmin politik. Nuk ka asgjë të keqe që të flirtojë Berisha edhe me Kastriot Islamin apo të harrojë çfarë i ka thënë Pollos e çfarë i ka thënë Polloja atij. Kjo është krejtësisht normale në politikë. Por ajo që nuk mund të jetë normale, është ana humane, njerëzore. Politika në shoqëritë pluraliste nuk ndërtohet mbi antivlera. Po të ishte kështu, Perëndimi do të ishte shpërbërë. Mirëpo, vlerat njerëzore si dashuria për tjetrin dhe mirëkuptimi për atë që mendon ndryshe nga ti, nuk do të thotë luftë, por dialog. Sali Berisha mund të mos jetë në një mendje me Koço Kokëdhimën dhe me politikën e tij editoriale, por të dërgosh gjithë shtetin për t’i shkatërruar bizneset një kundërshtari politik, kjo është kriminale. Të gjithë sipërmarrësit janë vlera kombëtare. Por sipërmarrësit në media janë vërtet heronj. Dritan Hoxha, ish-presidenti i “Top Medias”, që na sheh nga qielli tani, ishte një pasuri kombëtare, sepse krijoi një sipërmarrje, e cila ka punësuar mijëra njerëz anë e mbanë Shqipërisë, përveç markës që ai krijoi në media. Kokëdhima, gjithashtu, do të përmendet në historinë e medias shqiptare si botuesi i gazetës më profesionale në Shqipëri, që shënoi fillimin e një epoke të re në shtypin shqiptar, ashtu siç do të kujtohet Nikollë Lesi dhe Aleksandër Frangaj, të cilët kanë shënjuar e shënjojnë përmbajtjen e mediave shqiptare në kohë të ndryshme. Unë mund të mos miratoj politikën editoriale të Frangajt, por të mos harrojmë se kompania e tij ka të punësuar mijëra njerëz, të cilët jetojnë me atë biznes. Mirëpo Berisha jo vetëm që nuk ka ditur të mësojë nga historia e tij personale dhe politike, por, përkundrazi, ai po shfaq tani në fund edhe defektet e rënda në karakter e po shfaqet me një personalitet të deformuar. Nuk e kam fjalën për mirënjohjen si shenjë e një kodi tribal, por për mirënjohjen për njerëzit që krijojnë vlera. Këtë mirënjohje ky njeri nuk e ka, ndaj edhe është i destinuar të llogaritet ndër shqiptarët që e kanë çnderuar më së shumti këtë vend dhe të mbahet mend si njeri i pabesë dhe mosmirënjohës.
Marre nga e perditshmja “Shqip”
Top Channel