Greqi, sekuestrohen 400 kg kanabis

12/05/2013 18:50

Policia greke i ka dhënë një tjetër goditje trafikut ndërkombëtar të drogës, brenda 48 orëve.

Sipas policisë vendase, 400 kilogramë kanabis u sekuestruan në një kamion me targa daneze. Droga ishte e fshehur në dyshemenë e kamionit, të ngarkuar me prodhime bujqësore greke.

Dyshohet se ngarkesa kishte mbërritur nga Shqipëria dhe do të dërgohej në Danimarkë.

Në trafik janë të implikuar shtetas shqiptarë, grekë, danezë dhe rumunë, për të cilët fletët e arrestit tashmë i janë dërguar pikave kufitare të Bashkimit Europian.

Autoritetet greke deklarojnë se kanë goditur një prej grupeve më të fortë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me degëzime në shumë qytete europiane.

Xhiroja e këtij trafiku llogaritet në miliona euro në vit. Kamioni dhe ngarkesa e tij u sekuestruan, ndërsa shoferi danez i kamionit u dërgua në Gjykatën e Athinës, e cila vendosi ta lërë në burg deri në përfundimin e hetimeve.

Top Channel