Dokumentari “Anija”, i regjisorit Roland Sejko, fiton çmimin prestigjioz “David di Donatello”. I prodhuar nga Instituti “Luce”, filmi ka nisur rrugën e tij nga festivali ndërkombëtar i filmit, Torino.
Çmimi “Donatello”, ekuivalenti italian i “Oscar”, që jepet nga Akademia Italiane e Kinematografisë, është vlerësimi më i lartë për një vepër të tillë, e cila përpara pak ditësh ishte një prej pesë kandidatëve për “Nastro d’Argento”, çmimi i dhënë nga gazetarët kinematografikë.
Filmi i Roland Sejkos, i bazuar mbi dokumente të panjohura, mbi foto dhe xhirime të gjetura në arkivat e filmit në Shqipëri, Itali, Francë dhe Angli, trajton temën e eksodit shqiptar.
Ndryshe nga dokumentarët dhe veprat e tjera filmikë, që kanë trajtuar të njëjtën temë, për herë të parë filmi “Anija” përqendrohet në nisjen e shqiptarëve nga portet dhe rrëfen më pas jetën e disa prej atyre mijërave, që u vendosën në Itali.
Filmi është shfaqur me sukses në kinematë italiane, gjë e rrallë për një dokumentar. Ai është pritur shumë mirë dhe nga kritika, që ka vlerësuar pikëvështrimin e regjisorit, aftësinë e tij për të rrëfyer shpresën, nostalgjinë, frikën nga një të ardhme të panjohur, emocione që prekin çdo emigrant, sot dhe dje.
Të shoqëruara nga muzika originale, e kompozuar nga muzikanti shkodran Robert Bisha, pamjet e filmit ndalen shpesh në detaje të imta, minimale, por plot domethënie universale. Në fakt një prej kritikëve më të njohur italianë ka shkruar: Kjo vepër bën atë që duhet të bëjë çdo film; të rrëfejë diçka mbi njeriun.
Top Channel