ARTAN LAME – Lajmi i shkarkimit të Kosovrastit nga funksioni i kryetarit të Këshillit
Bashkiak të Tiranës, kaloi si të gjithë lajmet me tri ditët e çudisë.
Pas kësaj u harrua. Edhe kur lajmi ishte akoma taze, e gjithë vëmendja
ishte e fokusuar te ngarkesa politike e tij.

Votat e PS-së bashkohen me ato të LSI-së, PD-ja humbet shumicën në Këshill, shumica e re lajmëron mbledhje për shkarkimin e Kosovrastit, Lul Basha i vë kyçin derës, Këshilli mblidhet në korridor, e të tjera të këtilla. Por ajo që më tërhoqi mua, është një tjetër element, që s’ka të bëjë shumë me zhurmën e ditës.

Atëherë, edhe një herë nga fillimi. Opozita me PS-në në krye kishte 26 vota, ndërsa mazhoranca me PD-në në krye kishin 29 vota. Në këto kushte, kryetarin e kishte zgjedhur shumica dhe ishte Njaziu. Një ditë të bukur, LSI-ja kalon me PS-në dhe bëhet shumicë me 31 vota, ndërsa PD-ja mbetet në pakicë me 24 vota. Matematikë e thjeshtë. Pas kësaj, opozita kërkon thirrjen e mbledhjes së Këshillit me rend dite shkarkimin e kryetarit. Duke u bazuar prapë te matematika e thjeshtë, edhe ky është fakt i sigurt. Për të mos u ndodhur para të papriturash, njoftimi bëhet publik në media dhe, të gjithë anëtarët e Këshillit njoftohen edhe me shkrim. Pas kësaj anëtarët e pozitës nuk shkuan në mbledhje, duke pretenduar se nuk ishin lajmëruar dhe, që këtej rrodhi gjithë sherri e shamata.

Por, duke e lënë më nj’anë atë sherr e shamatë, si është e mundur që në 24 burra e gra, që e dinin shumë mirë që ishin lajmëruar për mbledhje, as edhe një i vetëm nuk pati kurajën ta pohonte këtë gjë?! Si është e mundur që në 24 burra e gra, asnjëri nuk pati kurajën të thoshte “po mor vlla, më ka ardhur njoftimi për mbledhje, por nuk desha të shkoja”? Midis tyre ka burra të pjekur e baballarë fëmijësh, ka gra e vajza, ka të rinj e të reja, ka intelektualë e njerëz të zakonshëm. Por jo, të gjithë, nga i pari tek i fundit, në rresht, duke shikuar në sy kamerat dhe gazetarët që i pyesnin, thoshin një gënjeshtër që bënte muuu që ishte gënjeshtër dhe asnjërit syresh nuk i dridhej qerpiku.

Në çdo situatë apo rrethanë, gënjeshtra është trajtuar moralisht si gjë e keqe dhe praktikisht të gjitha qytetërimet e këtyre 3-4 mijë vjetëve të fundit e dënojnë atë. Në politikë – dhe veçanërisht në atë moderne – mbijetojnë gënjeshtrat e kamufluara, apo gjysmë të vërtetat, apo shmangia nga e folura për të mos u detyruar të gënjesh, apo rënia në të pavërtetë për hir të një kauze të madhe, e kështu me radhë. Por këtu kishim të bënim me një punë fëmijësh: 24 burra rresht që kanë në xhep copën e letrës të njoftimit dhe që deklarojnë duke të parë në sy se nuk e kanë. Jo 5 në 24, as 10, as 20, por 24 në 24. Dhe nuk bëhej fjalë për një gjë që pale nëse është e vërtetë, jo. Praktikisht ishte marrë vesh në publik që këta të 24-ët e kishin marrë njoftimin dhe e kishin në xhep. Prova e pyetjes para kamerave, ishte më tepër një lloj prove se deri ku mund të shkojë pacipëria. E paimagjinueshme në çfarë zvetënimi moral po zhytet kjo shoqëri.

Mbrojtja më e parë që mund t’u bëhet këtyre të 24-ve, është se edhe krahu tjetër të njëjtën gjë do të bënte po të vendosej në të njëjtën situatë. Përveç faktit që një arsyetim i tillë nuk e justifikon veprimin e këtyre, sidoqoftë ne nuk e dimë as nëse edhe pala tjetër do kishte vepruar njësoj. Bën vaki që të bënin të njëjtën gjë, bën vaki. Por ata nuk u vunë në provë. Kur të vihen, po u vunë, le t’i shohim e t’i gjykojmë. Sot le të gjykojmë këta që në provë u vunë dhe ngecën të gjithë.

Të 24 këta gënjeshtarët, ditën që kanë marrë detyrën e këshilltarit dy vjet të shkuara, janë betuar me ceremoni. E pra e shkelën pa një pa dy betimin e bërë dhe askush nuk e vrau mendjen as për këtë. Tani të gjithë e dimë se aty janë 24 këshilltarë që e kanë shkelur betimin, por kjo pakkënd shqetëson në këtë vend.

Ta zëmë se kjo puna e kryetarllëkut të këshillit shkon në gjyq dhe këta të 24-ët do të vendosen përpara gjykatësit të pohojnë me betim atë që e pohuan ashtu lehtë e lehtë para kamerave. Natyrisht që edhe nën betimin e gjykatës ata do të pohojnë të njëjtën gjë. Pra do kemi 24 gënjeshtarë të trefishtë, tani që të gjithë e dimë që gënjejnë dhe prapë s’do trazohet kush.

Shkenca thotë se ekspertët ia dalin të dallojnë kriminelët kur gënjejnë gjatë hetimit, nëpërmjet shenjave të veçanta. Ulin sytë, lëvizin konkën në momentin e pyetjes, se si i mbajnë duart, nga djersitja, nga skuqja, e nga plot shenja të tjera. Vetëm gënjeshtarët patologjikë ia dalin t’ua hedhin ekspertëve për shkak se janë regjur me zanatin e rrenës. E pra, midis 24 këshilltarëve tanë, kur pyeteshin para kamerave s’pashë asnjërin të skuqej a të zverdhej, të kthente sytë a të ulte kokën. Jo ore për be, shihni gazetaren në sy dhe, me letrën e njoftimit në xhep, thoshin jo s’kemi marrë njoftim.

Këtu shfaqet edhe një problem tjetër. Jo se që të 24 ata nga ndonjë rastësi e çuditshme janë gënjeshtarë ekspertë por, identifikimi i tyre që në fazën e përzgjedhjes për në këshill ka qenë i tillë që të jenë “yes men”-ë të paskrupullt. Këtu hyn ajo që filozofët e quajnë “përzgjedhja negative”, sipas së cilës në politikat e mbrapshta, përzgjedhja e njerëzve është e mbrapshtë, të ligjtë në pushtet përzgjedhin për t’u shërbyer njerëz të ligj, të cilët pastaj nga ana e tyre kur u vjen radha përzgjedhin të ligj të tjerë.

E gjithë kjo përsiatje për këtë 24-she, nuk ka të bëjë fare me politikën. Është shumë i vockël fakti në ishin të majtë a të djathtë, kur më e rëndësishme është fakti i përdorimit dhe i pranimit të gënjeshtrës si instrument politik, pa asnjë vrasje ndërgjegjeje dhe, më keq akoma, pa pasur as frikën e ndëshkimit publik. E them këtë pasi, siç e thamë, fakti që këta njerëz po gënjenin publikisht mbi një fakt të njohur dhe demonstruar publikisht dhe, nuk kishin frikë se mos njerëzit që i kanë votuar do të reagonin ndaj gjestit të tyre, bën që përgjegjësia të shpërndahet edhe përtej tyre për te zgjedhësit e tyre. Për sa kohë edhe zgjedhësit e tyre e falin pa shumë vështirësi, apo e gëlltisin pa e vënë re fare, gënjeshtrën publike, është edhe më i frikshëm, duke na çuar të dyshojmë për gjithë konstitucionin moral të shoqërisë sonë apo të një pjese të madhe të saj.

Ore se nuk më del e keqja, po si ka mundësi që asnjëri prej tyre nuk ndjeu siklet aq sa të ulte sytë kur gënjente para kamerës!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA