Me rastin e 100-vjetorit të drejtësisë shqiptare, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave, ku ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, kryeministri, krerë të institucioneve kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë, ministra, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të shoqërisë civile.

Presidenti Nishani përshëndeti të pranishmit me një fjalë të rastit, në të cilën vlerësoi kontributin e brezave dhe personaliteteve të drejtësisë shqiptare në vendosjen e themeleve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“Drejtësia është themeli i demokracisë, theksoi Nishani, duhet të sigurojë që e drejta e qytetarit të jetë një realitet i prekshëm, sfidë e cila kërkon që, forcimi dhe konsolidimi i institucioneve të zbatimit të ligjit, të bëhet një mundësi reale. Reforma në sistemin e drejtësisë është reformë madhore, që i shërben një perspektive shumë të madhe të zhvillimit të një shoqërie të tërë, duke siguruar që shteti i së drejtës të funksionojë siç duhet në të”, theksoi presidenti i Republikës.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në sistemin e drejtësisë, presidenti Nishani i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”, avokatit Prof. Dr. Maksim Haxhia, ish-ministrit të Drejtësisë, Kudret Çela, titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, avokatit Virxhil Karaja dhe avokates Hydajete Kundraxhi; si dhe titullin “Naim Frashëri”, juristit Manol Konomi (pas vdekjes) dhe juristes Vjollca Meçaj.

Top Channel