F1, Alonso: Në Spanjë, të paktën podin

09/05/2013 20:55

Ditën e dielë, në shtëpinë e tij, në Spanjë, Alonso fikson një objektiv të qartë, “podiumin”.

Ndërsa Formula 1 zhvendoset në Europë, në garën e Barcelonës, kampioni i dyfishtë i botës kërkon që të rikuperojë terrenin e humbur ndaj Vettel në katër garat e para, dy prej të cilave me të vërtetë të pafata për ferraristin (jashtë gare pas një përplasje në nisje dhe i teti pas një problemi me sistemin DRS).

“Shpresoj vetëm që të jetë një garë e pastër, pa probleme mekanike e të papritura, që na kanë bërë deri tani të humbasim disa pikë. Shpresoj në një të premte të qetë, të tregohemi të shpejtë në prova dhe më pas të mendojmë për garën. Duke trajtuar mirë gomat dhe nëse gara shkon normalisht, kemi shumë shanse për të qenë të paktën në podium”, komentoi Alonso.

Sipas spanjollit, ndërsa katër garat e para shërbyen për të formuar një ide mbi forcën e çdo ekipi dhe atë që mund të bëjnë në këtë sezon, tashmë nis Botërori i vërtetë.

“Nga e shtuna, gjërat fillojnë të bëhen serioze. Barcelona dhe Monako mund të jenë kthesa e sezonit, ndërsa shumë do të varet edhe nga përparimi që do të bëjë ekipi. E rëndësishme është të tregojmë kujdes me gomat, që mbeten ende një enigmë. Në testimet dimërore na duheshin pesë ndalesa për të kompletuar një garë në Montmelo, tashmë do të duhen katër, por ka nga ata që flasin edhe për tre”, shtoi Alonso.

Top Channel