Greqia dhe Italia janë dy vendet me numrin më të madh të emigrantëve
shqiptarë, natyrisht, prej nga vijnë edhe dërgesat kryesore. Megjithatë,
projekti “Open Data”, pasi ka hulumtuar të dhënat mbi fluksin e
remitancave, bazuar te statistikat e Bankës Botërore, evidenton anën
tjetër të dërgesave.
Bëhet fjalë për të huajt që punojnë në Shqipëri, të ardhurat e të cilëve transferohen në familjet apo bankat e vendeve prej nga vijnë.
Mësohet se në vitin 2011, ishin rreth 50 milionë euro dërgesa nga Shqipëria drejt vendeve nga kishin prejardhjen të huajt që punojnë te ne. Nga kjo e dhënë, rreth 87 për qind ose 43.8 milionë euro janë dërgesa të shtetasve grekë që punojnë në Shqipëri, të cilët i kanë nxjerrë jashtë vendit tonë, sikurse veprojnë emigrantët shqiptarë. Gjatë vitit 2012 janë pajisur me leje pune 2679 shtetas të huaj, nga të cilët 1830 janë pajisur me leje pune për herë të parë, kurse grekë janë rreth 16 për qind të të punësuarve në Shqipëri. Prania e tyre lidhet me ndërtimin e disa akseve rrugore në jug të vendit, por edhe e numrit të lartë të kompanive.
Turqit zënë vendin e parë, thotë Ministria e Punës, me 19 për qind, më pas vijnë italianë, kanadezë, kinezë etj.
Megjithatë, nga vlera e dërgesave, pas të huajve nga Greqia, të dytët janë maqedonasit me 3.1 milionë euro dhe pastaj kemi “surprizën” e Çekisë, e cila renditet e dyta, për nga 3 milionë euro dërgesa. Të dhënat i referohen vitit 2011 dhe natyrisht që ndikohen nga prezenca e CEZ së bashku me ekipin e saj menaxherial nga Çekia, që punuan në Shqipëri për 4 vjet.
Sipas “Open data”, këto remitanca dalëse shënojnë 7 për qind të remitancave hyrëse dhe shtetet drejt të cilave janë transferuar janë Greqia, Maqedonia, Republika Çeke, Izraeli, Italia dhe Rusia.
Të dhënat për hulumtim janë marrë nga databaza e Bankës Botërore. Vendet kryesore nga ku e kanë origjinën dërgesat e emigrantëve shqiptarë janë: Greqia, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maqedonia, Gjermania dhe Kanadaja. Këto gjashtë vende kanë peshën kryesore të remitancave me Shqipërinë duke qenë se përbejnë 98 për qind të totalit. Vendet e tjera përbëjnë një përqindje shumë të ulët, vetëm 2% të totalit, megjithatë është interesante të shohësh vendet e huaja prej nga shtetasit tanë dërgojnë të ardhurat e tyre.
Greqia dhe Italia janë dy vende kryesore ku shtetas shqiptarë kanë emigruar dhe punojnë e jetojnë. Greqia është vendi me vlerat më të larta të remitancave hyrëse. Vlera e dërgesave shënon 310 243 000 euro dhe përbën 47 për qind të totalit. Pas Greqisë vlerën më të lartë të dërgesave të emigrantëve drejt Shqipërisë e shënon Italia me 248 710 000 euro dërgesa.
Top Channel