9 Maji, Avokati i Popullit: Masa për zgjedhjet

09/05/2013 00:00

Në ditën e Europës, Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka apeluar për
marrjen e të gjithave masave për zhvillimin e zgjedhjeve sipas
standardeve evropiane. Në një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit
ka kërkuar që të mos i mohohet e drejta e votës asnjë qytetari shqiptar,
si shprehje e vullnetit dhe bindjes së tij të pavarur.

“Ne mendojmë se me zgjedhjet e qershorit Shqipëria do të duhet të gjendet një hap më pranë Europës. Për këtë zgjedhjet e këtij viti, ky ushtrim i jashtëzakonshëm demokracie duhet të jenë të ndershme e të drejta e të zhvillohen në një klimë të qetë e qytetare.

Në mënyrë të veçantë në mendojmë se asnjë qytetari shqiptar me të drejtë votë për çfarëdo arsye do të duhet t’i mohohet kjo si shprehje e vullnetit dhe bindjes së tij të pavarur.

Ne mendojmë se në mënyrë të veçantë duhen marrë të gjitha masat e nevojshme që personat me aftësi të kufizuar të mund të votojnë në kushte të përshtatshme për ta. I njëjti kujdes duhet treguar edhe për grupet e tjerë vulnerabël, në mënyrë të veçantë romët dhe egjiptianët.

Masa serioze duhen marrë nga organet kompetente për të siguruar gëzimin e plotë dhe efektiv të të drejtës së votës për të gjithë personat e ngujuar si rezultat i gjakmarrjes”, ka deklaruar Avokati i Popullit. Totozani i ka bërë thirrje partive politike të mos përfshijnë fëmijët dhe administratën publike në fushatë.

“Në mënyrë të veçantë Avokati i Popullit i bën thirrje partive politike të lenë të qetë fëmijët të përmbyllin me sukses vitin shkollor me rezultate sa më të larta, fryt i djersës së derdhur gjatë gjithë vitit dhe në asnjë rast t’i përdorin ata si sfonde të mitingjeve elektorale.

Avokati i Popullit mendon dhe beson se administrata publike do të vazhdoje të qëndrojë dhe punojë pa asnjë shkëputje, në disa raste 24 orë në 24 orë në shërbim të qytetarit për ti garantuar atij zbatimin e të drejtave dhe shërbimeve që rrjedhin nga Kushtetuta dhe Ligjet.

Ne mendojmë dhe shpresojmë gjithashtu se ndaj administratës publike qendrore apo lokale, funksionareve dhe punonjësve të saj të çdo rangu e pozicioni nuk do të verifikohen presione të natyrave të ndryshme, apo urdhra të kundraligjshëm që do të synojnë të lidhin, apo ndërvarin karrierën e gjithsecilit me favore, apo shërbime elektorale të paparashikuara në ligjet në fuqi që rregullojnë administratën publike, apo kontratat individuale të punës. Gjithashtu ne besojmë në ndershmërinë dhe kurajën e gjithsecilit kontribues në administratën publike qendrore dhe lokale për të denoncuar këto raste”, ka thënë Totozani.

Avokati i Popullit ka ftuar për një reflektim të thellë nga kushdo që nisur nga roli, apo pozicioni publik të vlerësojë këto zgjedhje dhe të ardhmen e Shqipërisë si një qytetar europian.

Gazeta “Shqip”

Top Channel