“Tërhiqem”! Ferguson nuk përmbajti dot lotët

Sir Alex Ferguson nuk mundi dot të përmbante lotët, ndërsa i komunikoi futbollistëve dhe stafit të Manchester United se kishte vendosur të tërhiqej në fund të sezonit.

Pas 26 vitesh në drejtimi e klubit, mediat angleze zbuluan se 71-vjeçari kishte mbërritur në qendrën stërvitore të Carringtonit, si zakonisht, në orën 6:50 të mëngjesit.

Pak pas mbërritjes së futbollistëve, Ferguson kërkoi tre mbledhje njëra pas tjetrës, me futbollistët, stafin drejtues e teknik dhe punonjësit e tjerë të klubit.

Në nisjen e komunikimit të vendimit të tërheqjes, Sir Alex nisi t’i dridhej zëri dhe deri në fund të fjalimit të shkurtër, nuk mundi të përmbante lotët.

Sipas një futbollisti të pranishëm në mbledhje, ai nisi duke i thënë të gjithëve se sa krenarë ishte për gjithçka kishin arritur së bashku dhe më pas i shpjegoi se kishte kuptuar se momenti i duhur për t’u tërhequr kishte mbërritur.

Pas këtij komunikimi, në dhomën e zhveshjeve ndodhën disa momente prekëse, me futbollistët që shkuan të përqafonin trajnerin e tyre.

Ndonëse më i përmbajtur, momentet emocionuese u përsëritën edhe në takimet me stafin.

Midis të tjerave, Fergi nuk harroi që të falenderonte edhe një sekretare të moshuar, që gjatë 26 viteve të tij në “Old Trafford”, ishte personi që i përgatiste çajin çdo mëngjes.

Trajneri më jetëgjatë në historinë e futbollit anglez, Ferguson vendosi të tërhiqej në fund të sezonit pas fitimit të kampionatit të tij të 13-të.

Nën drejtimin e Sir Alex, Mançester zëvendësoi Liverpool si klubin më të suksesshëm në vend, duke fituar veç titujve, edhe dy Champions League, një Botëror klubesh, 5 herë Kupën e Anglisë dhe shumë trofe të tjerë.

Top Channel