Prodhuesit e peshkut kërkojnë ndihmë

08/05/2013 00:00

Prodhuesit e peshkut në Karaburun kërkojnë nga ‘Ministria e Bujqësisë’ mbështetje, lehtësira dhe pajisjen me leje eksporti që do t’u mundësonte eksplorimin e tregjeve të reja.

Pasi kanë përmbushur nevojën e tregut vendas, ata kërkojnë mundësinë e eksportit të peshkut jashtë vendit, por për të përfituar këtë leje ata thonë se po përballen me burokraci të ndryshme nga ana e autoriteteve.

Por Drejtori i Politikave të Sigurisë Ushqimore në Ministrinë e Bujqësisë, Gani Moka shpjegon se për të përfituar lejen për eksport, këto kompani duhet të jenë të pajisura me stabilimente, kusht ky i vendosur nga Bashkimi Europian për të ruajtur cilësinë e produktit pas daljes nga habitati ujor.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë janë rreth 16 kompani në vend që zotërojnë lejen e eksportit ndërsa sasia e peshkut të prodhuar në vit nga sistemi i akquakulturës është 10 mijë ton.

Prodhuesit e peshkut thonë se ky biznes kërkon kujdes të vecantë pasi është i ekspozuar ndaj shumë risqeve të natyrës. Vetëm si pasojë e çarjes të një pjese të vaskës ne Karaburun për shkak të kushteve atmosferike, prodhuesit kanë humbur 40 ton peshk që përkthehet në një dëm prej 150 mijë eurosh, shifer e papërballueshme prej tyre.

Top Channel