Allegri: Për të ardhmen vendos në fund të sezonit

08/05/2013 00:00

Trajneri i Milanit, Masimiliano Allegri kërkon nga të tijtë që në takimin e mbrëmjes së sotme kundër Pescara-s të marrin pikët maksimale për të blinduar vendin në Ligën e Kampioneve e më pas për të vendosur për të ardhmen.

Tekniku i kuqezinjve, aq shumë i përfolur kohët e fundit për një largim nga Milano drejt Romës, tha se e rëndësishme në këtë moment është arritja e objektivit, sigurimi i vendit të tretë në tabelën e klasifikimit për të qenë të pranishëm në Ligën e Kampioneve vitin e ardhshëm, dhe jo e ardhmja e tij.

“Nuk ka kuptim të flas tani për të ardhmen time. Madje nuk dua të flas fare për të. Duhet të mendojmë vetëm për kampionatin dhe arritjen e objektivit. Sa për të ardhmen time do të flasim në fund të sezonit, mungojnë vetëm 10 ditë. Kini durim!”, deklaroi trajneri i Milanit para gazetarëve.

Milani luan në transfertë ndaj Pescaras, e rëndë tashmë në Serinë B. Kuqezinjtë do të synojnë fitoren për të mbajtur, në rastin më të keq distancën prej 4 pikësh nga vendi i katërt ku është Fiorentina. Kjo e fundit luan një sfidë të vështirë përballë Sienas pasi vendasit do të kërkojnë fitoren për mbijetesë.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, Napoli do të luajë kundër Bolonjës në transfertë dhe po në transfertë Juventusi i shpallur kampion në fundjavë do të përballet me Atalantën.

Java e 36 e Serisë A u hap me ndeshjen Roma-Kievo mbrëmjen e së martës. Vendasit pësuan një humbje turpëruese 0-1 nga skuadra modeste veroneze.

Top Channel