Mustafa Nano – “Ka shumë njerëz kureshtarë për listat. Unë jam një nga
ata. Dua të marr vesh, nëse do të jetë në listat e PS-së mbiemri
‘Kokëdhima’”, shkruaja dje në mesditë në “Tëitter”-in e “Respublica”-s.
Ishte momenti që të gjithë po thoshin se një Kokëdhima do të ish se
s’bën pjesë e listës
Në fillim u fol për emrin e vajzës së biznesmenit të njohur më shumë për protagonizmin publik se sa për bëmat prej biznesmeni, u fol për Besën, një këngëtare e njohur dhe e suksesshme. Më pas u fol për të shoqen, Brixhidën, dhe vetëm në mbrëmje vonë morëm vesh me siguri se në fakt ish fjala për vetë Koço Kokëdhimën që, sipas Arben Malajt që sapo kish braktisur mbledhjen e kryesisë, ishte i dyti në listën e qarkut elektoral të Vlorës. Në fund ka përfunduar i treti, gjë që në thelb është e njëjta gjë, e nuk e modifikon lajmin e ditës: Koço Kokëdhima i është futur politikës.
Ngjarja ka bërë bujë. Dhe kuptohet pse. Kokëdhima është një personazh që ndjell vëmendje; ndjell vëmendje n’daçi për shkak të lidhjeve të tij të forta e sezonale me të mëdhenjtë e politikës, e sidomos për lidhjen “e përjetshme” me Edi Ramën (për këtë do të flas pak më poshtë), n’daçi për shkak të “Shekullit”, të cilën e ka shndërruar në fletushkë pa vlerën e qëmotshme, n’daçi për shkak të bëmave e ngrefosjes urbane në rolin e njeriut që tërheq shumë fije, në mos të gjitha fijet, e lodrave në këtë vend, e n’daçi për shkak të – kjo është bëma e fundit e tij – rolit ekskluziv që ai ka luajtur në realizimin e paktit PS-LSI. I gjithë teatri Rama-Meta është luajtur në shtëpinë e Koços, mbi zyrat e “Shekullit”, në Bllok.
Por mbi të gjitha, Kokëdhima njihet për lidhjen e tij me Ramën. Është e hershme kjo lidhje. Dhe u ka rezistuar viteve, duke përgënjeshtruar në mënyrë paradoksale dhe imazhin e Ramës si njeri që miqtë i mban një copë herë, i përdor, e pastaj i flak. Ka ndodhur ndryshe me Kokëdhimën, veç me Kokëdhimën amá, me të cilin ka ndërtuar një lidhje simbiotike. Madje, ca e ca janë të sigurt se Kokëdhima është ndërgjegjja e tij e dytë, është alter egoja e tij, është Mr. Hyde/Dr. Jekyll që e dublon në rrethanat kur ai vetë është Dr. Jekyll/Mr. Hyde, është njeriu që e bën ta heqë maskën që mban. Të gjithë kemi maskë në këtë botë, dhe është vështirë të gjesh ndokënd, përballë të cilit të ndihemi aq në karar, sa ta heqim këtë maskë pa rrezikuar se mund të provokojmë tronditje e keqkuptime me fytyrën tonë të vërtetë; Rama e ka gjetur, me sa duket.
Tani kthehemi te ngarkesa e simbolika politike e ngjarjes “Kokëdhima”. Duhet thënë se, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, një denoncim i llojit etiko-moral i promovimit të Kokëdhimës në politikë në rrethanat, në të cilat jetojmë, nuk ka pikën e kuptimit. Pavarësisht nga imazhi, bëmat e legjendat urbane mbi botuesin e “Shekullit”, e pavarësisht nga nënkuptimet, me të cilat e vesha atë që thashë pak më sipër, Kokëdhima është si gjithë të tjerët që e përfaqësojnë mirë këtë sistem. Kështu që kandidimi i tij as nuk prish, as nuk ndreq ndonjë gjë në rendin e gjërave.
Është tjetër analiza që duhet bërë; është tjetër dhe arsyeja pse ky kandidim të shock-on (mua, të paktën). Nuk ka lidhje me Kokëdhimën, s’ka gjë se mua më ka dhënë trishtim hyxhymi i tij drejt politikës, e se do isha shumë i kënaqur sikur dikush të dilte tani e të më thosh se “e gjitha ishte një shaká”. Ka lidhje me Ramën, i cili me vendosmërinë për të kandiduar mikun e tij të ngushtë ka demonstruar se as që ka ndër mend të ndalet në projektin për të ndërtuar një Parti Socialiste të vetën, tërësisht të vetën. Dhe të miqve të tij. Prandaj është e kotë të mendosh, se Arben Malajn e Arben Isarajn i ka hequr nga lista, ngaqë këta të dy nuk kanë dashur apo nuk kanë ditur të sintonizohen me linjën zyrtare të Partisë, aq më pak ngaqë këta të dy nuk mund ta përfaqësojnë projektin e Rilindjes (“Rilindjen e leshit”, do thosh Topalli, e ky do ish i vetmi rast që do bija dakord me të). Jo, thjesht Malaj e Isaraj nuk janë miqtë e Ramës. Dhe të kuptohemi, Partia e miqve nuk më krijon bezdi thjesht për faktin që është e miqve. Jo, shoh me shqetësim qëllimin, për të cilin kjo parti miqsh po ndërtohet. Rama po ndërton partinë, të cilën nuk ka ndërmend ta lëshojë ndonjëherë. Ai po ndërton partinë që do të zgjedhë e do të mbajë në krye të partisë atë vetë, në çdo rast.
Përthyerja tjetër e kësaj ngjarjeje është e natyrës praktike. Unë ende vijoj të besoj (apo jam naiv?) se vendit do t’i bëhej mirë, nëse Sali Berishës i thuhet “jo” me votë këtë herë, e rrjedhimisht hiqet qafe e çohet në shtëpi njëherë e mirë. Ky besim i imi nuk ka lidhje me ata që vijnë pas. Thjesht kam besuar (sërish pyes: jam naiv?) se largimi i Berishës është një ngjarje që ka vlerë në vetvete.
Por Edi Rama e ka komprometuar e komplikuar edhe këtë objektiv. Bëri aleancën me Metën në funksion të aritmetikës elektorale (kështu tha), dhe më pas ka bërë një numër gjestesh e ka marrë një numër vendimesh që e zhbëjnë në një masë të madhe avantazhin elektoral të kësaj aleance. Ka për të humbur disa mijëra vota në Vlorë (prej Malajt), disa mijëra në Durrës (prej Dukës), disa mijëra në Fier (prej Priftit), disa mijëra në Shqipëri (prej AK-së). Me ç’është marrë vesh, nuk mund t’i vihet faj për aleancën e munguar me AK-në, as mund t’i kërkohet hesap që i dha munxët Dritan Priftit (Meta e Prifti nuk mund të rrinin bashkë, e prandaj ai, me logjikën e aritmetikës elektorale, ka zgjedhur me të drejtë Metën). Por pyetjet që bëhen janë (gjithnjë me logjikën e aritmetikës elektorale, e në daçi, edhe me logjikën e projektit të tij politik për të marrë totalisht nën kontroll partinë socialiste): Ç’dreqin pate me Arben Malajn? Po me Agron Dukën? Vetëm këta dy emra, që praktikisht janë rezervuarë votash, do ta bënin pis Rilindjen tënde “të qelibartë”? Me sa duket, Rama ka talentin e rrallë për t’i dalë kundër edhe tahmasë së vet e për t’u mbytur aty ku të tjerët llokoçiten. Është mjeshtër për të bërë hara-kiri.
Dhe një pyetje e fundit: Vërtet mendon Rama, se do t’ia dalë, dhe se ka kuptim, të rrijë në krye të Partisë Socialiste, nëse këto zgjedhje i humb, siç ka humbur të tjerat? Qoftë ai që është!
Top Channel