Milan “blindon” Champions-in, Abbiati-Balo heronj

05/05/2013 18:50

Një gol i Balotelli-t, kur kishin mbetur edhe 5 minuta nga fundi i takimit, i dhuron Milanit fitoren 1-0 kundër Torinos dhe krijimin e një distance prej +4 pikësh nga Fiorentina, tashmë një hap më pranë Champions-it.

Kuqezinjtë arrijnë të triumfojnë në një ditë të errët për ta, teksa janë mbajtur në lojë vetëm falë një Abbiati në një formë të shkëlqyer. Portieri ruan në 2 raste portën e paprekur, kur Barreto mund të kishte shënuar fare lehtë, në minutën e 16 dhe 65.

Në fund, Allegri kryen ndërrimet e mundshme dhe, nga një aksion i lindur nga goditja e dënimit, Balotelli shfrytëzon më së miri një asist nga ajri të Mexes, për t’i rikthyer buzëqeshjen tifozëve kuqezi.

Në fakt po, një buzëqeshje, pasi mosrealizimi i objektivit të Champions-it është një hipotezë e pakonsiderueshme në “rrugën Turati”. Goli i Balotelli-t i lejon kuqezinjve të “blindojnë” vendin e tretë nga sulmet e Fiorentinës dhe, duke nisur nga dje, të Romës.

Ndërkohë, sa i përket ndeshjeve të tjera, kjo fundjavë e Serisë A do të mbyllet në mbrëmje me ndeshjen Napoli-Inter, ndërsa ka nisur me fitoren 3-1 të Udinezes ndaj Sampdorias, në mesditë.

Catania ka mposhtur 3-0 Sienën, e cila së bashku me Palermon e Pescara-n (tashmë e rënë zyrtarisht), duket se përbëjnë grupin e skuadrave pretendente për të rënë në Serinë B.

Një fitore me shumë vlera për mbijetesë ka arritur Genoa, 4-1 ndaj Pescara-s, jo vetëm duke i dhënë biletën zyrtarisht kundërshtarëve për t’u rikthyer andej nga erdhën këtë sezon, por duke u shkëputur tashmë me 3 pikë nga Palermo.

Lacio ka luajtur “tenis” me Bologna-n, ndërsa Parma mposhti 2-0 Atalantën në “Tardini”.

Top Channel