Lamtumira e policit të vrarë

05/05/2013 00:00

Miqtë, kolegët, të afermit dhe familjarët kryen homazhet mbi trupin e inspektor Selman Lenës, ne ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policise.

Mbi arkivolin me trupin e inspektorit të policisë Lena nderuan jo vetëm efektivët e Komisariatit Numer Pese të Tiranes, ku ai bënte pjese, por nga një numër shume i madh kolegësh, drejtues të policisë dhe autoritetet shtetërore më të larta të vendit.

Kryeministri Berisha, pasi ka shprehur ngushëllimet familjes, tha se qeveria do të mbështesë policinë dhe do të kujdeset për inspektorin Lleshi, që vazhdon të jetë në gjendje të rënduar për jetën.

”Unë shpreh sot ngushëllimet e mia, dhembjen, pikëllimin për rënien në krye të detyrës së Selman Lenës, këtij inspektori të shkëlqyer të forcave tona të rendit, Lutem së bashku me ju, që shpirti i tij të gjejë paqën e merituar, sikundër kam besimin më të madh se ligji do të japë përgjigjen e merituar ndaj këtij akti kriminal të rëndë. Unë gjithashtu, sot uroj që shoku i tij, inspektori Preng Lleshi, në gjendje shumë të rëndë, të përmirësohet”, deklaroi në paraqitjen e nderimeve të tij, kryeministri Berisha.

Inspektor Selman Lena është i datëlindjes 5 korrik 1970. Ai ka lindur në Burrel dhe ishte baba i tre vajzave.

Inspektor Lena ka nje karriere 22-vjeçare në Policinë e shtetit shqiptar, duke u shquar për profesionalizëm dhe përkushtim në detyrë. Aktualisht, ai kryente detyrën si oficer i patrulles së pergjithshme pranë komisariatit numër 5.

42-vjeçari humbi jetën gjate një aksidenti të rënde, mbrëmjen e së shtunës në Kamez.

Patrulla e policise, e drejtuar prej tij dhe oficerit tjetër Preng Lleshi u perplas nga nje makine “BMV X5”, e cila nuk ju bind urdhrit te tij per te ndaluar ne postbllokun e policise.

Efektivi i policise, Lena nuk mundi t’i rezistoje plageve te marra. Makina “BMV” drejtohej nga Edmir Koleci, 37-vjeçar me precedentë penale. Ai u arrestua në orët e para të mengjesit në vendin e quajtur “Katër Rrugët e Shijakut”.

Vrasja e policit, reagon deputeti Sajmir Tahiri
Pas ngjarjes, që i mori jetën një polici në krye të detyrës, reagon PS

Në lidhje me ngjarjen, që i mori jetën një polici, ka reaguar edhe Partia Socialiste. Deputeti Saimir Tahiri deklaron se, bashkë me Selmanin dhe kolegun e tij Lleshi, dje është vrarë shpirti i skuadrës së Policisë së Shtetit.

Ata që vranë Selmanin, kanë kohë që kanë vrarë frikën prej forcës së ligjit dhe Policisë së Shtetit. Prandaj, sot marrin guximin të vrasin vetë mbrojtësit e ligjit, efektivët e Policisë së Shtetit. Tahiri thotë se qeveria, kryeministri e gjithë të tjerët, janë bërë si agjenci mortore me ngushëllimet e rastit, për oficerët e rënë në krye të detyrës.

Këta, që nuk garantojnë dot jetën dhe nderin e efektivëve të policisë për së gjalli, mjaftohen t’u garantojnë nderin e ceremonisë mortore për në botën tjetër, sepse krimi nuk ka më frikë nga shteti, kriminelët nuk kanë më frike nga ligji, nuk kanë më frikë nga Policia e Shtetit.

Në emër të gjithë këtyre, pas 23 qershorit, ne angazhohemi të rilindim misionin dhe shpirtin e skuadrës së Policisë së Shtetit. Pas 23 qershorit, ne do i japim fund tradhtisë së efektivëve të Policisë së Shtetit, duke rilindur një Shqipëri më të drejtë dhe më të sigurt, përfundon deklarata e Tahirit.

Top Channel