Juventus është sërish kampion i Italisë

05/05/2013 18:20

Ashtu siç ishte parashikuar, Juventus mposht 1-0 Palermon, falë një goli nga 11-metërshi në minutën e 59-të nga Vidal, dhe shpallet për të dytin vit radhazi kampion i Italisë.

Të besuarit e Conte-s, pas një pjese të parë të luajtur me ritme të ulta, rrezikojnë shumë pas shtyllës së goditur nga Miccoli.

Më pas, Juve luan ashtu siç di ta bëjë më mirë, dhe arrin të fundosë siçilianët drejt fundit të tabelës. Në fund të ndeshjes ndëshkohet me të kuq Pogba, për një goditje ndaj Aronica-s.

Duhej të ishte 5 maji dhe ashtu ndodhi. Pikërisht ai 5 maj, i cili i kujton Juves dhe tifozëve të saj parakalimin historik ndaj Interit. Një simbol, që fati deshi të jetë edhe fundi i çështjes së titullit për 2013-n.

Juve mposht Palermon fillimisht dhe shkon të ngrejë “tringjyrëshin” e 29-të në historinë e saj të gjatë. Për tifozët, kjo është “mburoja” numër 31 (në fushë), por kjo është një çështje që nuk i bashkon të gjithë në një mendje dhe që pak kujt i intereson aktualisht.

Ecuria e ekipit të Conte-s ka qenë pothuajse perfekte. Por, e tillë do të jetë edhe nëse arrin të mposhtë të tjera rekorde. Nëse, për shembull, arrin të fitojë 92 pikë në klasifikim, diçka historike, kundër atij rekordi prej 91 pikësh të arritur nën drejtimin e Capello-s.

Por, gjithashtu, edhe nëse shënohen 29 fitore në total brenda 1 sezoni, që mungon prej kampionatit të largët 1949-50. Në kokën e trajnerit juventin ka ende shumë për t’i dhënë kauzës bardhezi. Objektivi i parë, deri tani, ishte sigurimi i titullit kampion.

Top Channel