Musical-i i bandës muzikore Spice Girls, “Viva Forever!” do të mbyllet në qershor për shkak të dështimit të tij. Lajmin e bëri të ditur producentja e shfaqjes, Judy Craymer.
“Nuk ia arritëm dot qëllimit”, tha Craymer, e cila më parë kishte inskenuar hitin e grupit Abba, “Mamma Mia!”. Shfaqja “vuajti” nga shitja e pakët e biletave dhe nga skepticizmi i kritikës.
Në një deklaratë, anëtaret e Spice Girls u shprehën se, ndiheshin të elektrizuara që ata mijëra njerëz që kishin ardhur për të ndjekur shfaqjen kishin mbetur të kënaqur.
Por në mënyrë individuale, anëtaret e grupit shprehën zhgënjimin e tyre për vendimin. Emma Bunton, në profilin e saj në Twitter shkroi se ndihej “tmerrësisht keq”.
Melanie C, që aktualisht është e angazhuar edhe në një tur tjetër muzikor, i shprehu ndjenjat e saj me fjalët se ishte “tërësisht e shkatërruar” nga lajmi.
Musical-i, që rrëfen historinë e grupit të pesë vajzave në kërkim të famës përmes një reality televiziv, do të mbyllë siparin më 29 qershor.
Shfaqja nisi në dhjetor me planin që të vazhdonte të paktën deri vitin tjetër, por që nuk ia arriti qëllimit, pavarësisht se fillesat nuk ishin negative.
“Me zemër të thyer më duhet të them se morëm këtë vendim të vështirë për të mbyllur shfaqjen. Ajo mund të harrohet, por trashëgimia e lënë nga Spice Girls jo”, tha producentja Craymer.
Top Channel