Superiore, Teuta përkohësisht e dyta

03/05/2013 23:25

Teuta ka fituar minimalisht 1-0 me Laçin dhe ngjitet përkohësisht në vendin e dytë, në klasifikimin e Superiores, në pritje të ndonjë gabimi të kuksianëve, të cilët do të luajnë të shtunën me Kastriotin.

Durrsakët janë ndeshur në “Niko Dovana” me Laçin, një skuadër e cila, falë pozicionit komod në tabelë, nuk ka treguar impenjim maksimal, pasi e gjithë vëmendja e tyre është përqendruar në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Golin e vetëm dhe të fitores për Teutën e shënoi Tefik Osmani, në minutën e 63. Të shtunën do të luhen të gjitha ndeshjet e tjera të javës së parafundit të Superiores.

Skënderbeu do të ndeshet me Luftëtarin, Flamurtari me Vllazninë dhe Tirana do të përballet me Bylisin.

Top Channel