Një “Pasdite” me Jehona Sopin

03/05/2013 00:00

Jehona Sopi ishte e ftuara e radhës në emisionin “Pasdite në Top Channel”. Këngëtarja kosovare theksoi se aktualisht i është përkushtuar 100% familjes dhe veçanërisht vajzës së saj të vogël e nuk ka kohë për asgjë tjetër.

“Po mundohem të shijoj këtë periudhë në maksimum. Nuk është fëmijë i zhurmshëm dhe më kënaq.”

“Kam pasur një shtatzëni shumë të vështirë, sidomos në 4 muajt e parë, por në fund ia vlejti. Emri i vajzës, Aria, vjen nga ariet që i pëlqej shumë. Është emër latin dhe gjithashtu kështu e kishte emrin hoteli i muajit tim të mjaltit”, deklaroi Jehona.

Jehona shprehu gjithashtu indiferencën e saj ndaj rrjeteve sociale që janë bërë tashmë prej vitesh pjesë e jetës sonë: “Nuk kam as Facebook, as Twitter. Gjërat personale dua të jenë të miat dhe t’i shijoj vetëm unë.”

Në lidhje me dasmën e saj, këngëtarja tha: “Jam martuar në ishujt Maui, kam pasur një martesë të stilit hauaian ku kemi shkëmbyer lule dhe jo unaza. Jam shumë e lumtur. Familja është primare për mua. Kam dy vite e martuar dhe do bëj gjithçka për ta pasur afër familjen.”

Top Channel