F1, Vettel: Më në fund kthehemi në Europë

03/05/2013 19:35

Sebastian Vettel, tre herë kampion bote i Formulës 1 dhe lider i kampionatit aktual, ka një kujtim të veçantë nga gara e Barcelonës në vitin 2011.

Javën e ardhshme do të zhvillohet Cmimi i Madh i Spanjës dhe në prag të kësaj gare, piloti i Red Bull u shpreh në deklarata të lëshuara nga skuderia austriake: “Fitorja e 2011-s ka qenë shumë e veçantë. Në 20 xhirot e fundit e kam vuajtur shumë presionin e Lewis Hamilton pasi nuk kisha as Kers-in për tu mbrojtur në pjesët e shpejta.”

Gjermani vlerësoi edhe pistën katalanase: “Është shumë interesante. Ka nga të gjitha llojet e kthesave. Pjesa e parë e saj është e preferuara ime sepse ka kthesa shumë të shpejta.”

Vettel u shpreh i lumtur edhe për faktin se kampionati botëror i Formulës 1 është “tranferuar” tashmë në Europë: “Më vjen mirë që po kthehemi në Europë e veçanërisht në Spanjë. Në garat europiane ambienti është spektakolar dhe moti i mirë. Gjithashtu tranferimi nga njëri shtet në tjetrin është i shkurtër dhe ne pilotëvë nuk na duhet të përshtatemi me ndryshimin e orarit.”

Top Channel