Ancelotti: Realit nuk i thuhet jo

03/05/2013 13:20

Trajneri i Paris SG, Carlo Ancelotti, foli për herë të parë mbi të ardhmen e tij, ndërsa pranoi se do të ishte i hapur drejt një kalimi tek Reali i Madridit.

Në një intervistë televizive, për një nga televizionet e “RAI”-t, i pyetur nëse e sheh të ardhmen të lidhur me Realin, Ancelotti u përgjigj: “Nuk e di. Ka qenë një moment kur ishim pranë, por pastaj kalova tek Chelsea. Të ardhmen askush nuk e njeh, por unë ndihem mirë tek Paris SG dhe mund të qëndroj këtu edhe shumë kohë”.

Megjithatë, Ancelotti shtoi: “Tani mendoj vetëm për fitimin e titullit dhe për festën që do të pasojë, por është e vështirë t’i thuash jo Realit të Madridit, ndonëse në Paris ndihem mirë e jetoj po aq mirë”.

Ndonëse nën kontratë me Paris SG, Ancelotti duket se nuk është i kënaqur me ambientin në Paris dhe do të ishte i gatshëm për këtë transferim, nëse Reali arrin një marrëveshje me pronarin e parizienëve, sheikun Tamim bin Hamad al-Thani.

Marrëdhënia e Ancelottit me sheikët ka qenë e vështirë dhe sipas shtypit francez, presidenti i klubit, sheiku Nasser al-Khalaifi, kërkoi shkarkimin e tij pas humbjes 2-1 me Nisën, në muajin dhjetor.

Ndonëse situata u përmirësua në muajt e fundit, me Parisin që duket se e ka të sigurt titullin kampion dhe ndonëse arriti në çerekfinalet e Champions, antipatia Khalaifi-Ancelotti duket se vazhdon të jetë e ndërsjelltë.

Ndërkohë, në Madrid, pas deklaratave se do t’i pëlqente të largohej atje ku e duan, Mourinho u prit me kontenstime dhe sllogane ofenduese nga një grup prej dhjetëra tifozësh, në largimin e tij nga qendra stërvitore e klubit gjatë së enjtes.

Për Mourinhon duket se është gjithmonë e më i afërt rikthimi në Premier League, në drejtimin e Chelsea.

Top Channel