Andrea Stefani – Eugen Volfart, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, është
shfaqur përsëri ekraneve për të bërë përsëri një deklaratë amorfe dhe
përsëri në favor të Berishës dhe qeverisë së tij. KQZ-ja mund të
funksionojë edhe vetëm me 4 anëtarë – ka dhënë të kuptohet Volfart.
Ai ka shtuar se do të ishte mirë që KQZ-ja të plotësohej edhe me anëtarët e tjerë, por gjithsesi, edhe i përgjysmuar funksionon. Ky është thelbi i deklaratës së Volfart në sinkron të plotë, dhe jo rastësisht, me deklaratën e Oerd Bylykbashit, drejtor i kabinetit të Kryeministrit. Përsëri, jo rastësisht, deklarata e Volfart u përcoll triumfalisht nga gjithë mediat e Berishës si një tërheqje veshi për opozitën. Përse? Sepse Berisha i ka fabrikuar këto media që të justifikojë kapjen e të gjithë institucioneve, pra edhe të KQZ-së, në funksion të përjetësimit të sundimit të tij. Dhe, mjerisht, pjesë e kësaj infrastrukture të autokratizmit, është bërë (përse vallë?!) edhe ambasadori Volfart. Dhe ne nuk mund të besojmë se mbrojtja e opsionit autokratik të përfaqësuar nga Berisha, është misioni që i ka ngarkuar atij OSBE-ja.
***
Tashmë jo vetëm kritikë konstantë brenda Shqipërisë, por edhe mjaft ndërkombëtarë (madje dhe miq të Berishës si eurodeputetja Doris Pack), kanë deklaruar se shkarkimi i anëtarit të KQZ-së Ilirjan Muho, ishte një gabim i rëndë i kryer nga shumica parlamentare e dirigjuar prej Berishës. Në fakt akti ishte një puç i qartë institucional i realizuar me anë të tiranisë së shumicës në Parlament. Duke gjakuar manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme me anë të institucioneve të kapura, Berisha tentoi t’i rikthente vetes shumicën në KQZ, me pretendimin se largimi i LSI-së nga koalicioni qeveritar kishte shkelur marrëveshjen për balancimin politik të KQZ-së. Mendja e tij prej autokrati nuk arrin të kuptojë dot (dhe bashkë me të edhe ministra si Genc Ruli), se duke u dhënë të drejtë partive parlamentare për të propozuar në raporte të caktuara anëtarët që kompozojnë KQZ, ligji nuk u jep të drejtën të kenë pronësinë politike mbi ta. Përkundrazi, nisur nga parimi i ndarjes së pushteteve dhe objektivi i krijimit të institucioneve të pavarura, ligji presupozon se pas emërimit, këta anëtarë, pavarësisht se cila parti i propozon e promovon, duhet të sublimohen, domethënë duhet të fitojnë (s’ka rëndësi sesa ata vetë arrijnë ta bëjnë këtë) statusin e të pavarurit nga partitë politike. Me këtë frymë të ligjit iu kundërvunë opozita dhe ndërkombëtarët Berishës. Dhe duke parë se sofizmi me marrëveshjen nuk po i ecte, por i fiksuar në idenë e tij për të pasur shumicën në KQZ, Berisha e realizoi që e realizoi shkarkimin e Muhos. Dhe përsëri në shkelje të ligjit. Produkt i këtij puçi, në fakt një çorbë ku trazohen tirania e shumicës dhe një proceduralizëm antidemokratik nëpërmjet të cilit ligji përdoret kundër së drejtës, është edhe KQZ-ja e sotme vetëm me 4 anëtarë. Dhe pikërisht për këtë “gjysmagjel” të sajuar me puç për të pjellë florinj për autokratizmin e Berishës, ambasadori Volfart thotë se “mund të funksionojë edhe kështu”!
***
Me deklaratën e tij, ambasadori Volfart ka justifikuar jo vetëm kapjen e një institucioni me puç, por edhe procedurat antidemokratike, qartazi në shkelje të ligjit zgjedhor dhe Kushtetutës, që janë përdorur. Është e habitshme të shohësh sesi një misionar i lartë i Perëndimit si Volfart, nuk arrin të kuptojë se ajo që mund të shfaqet e ligjshme jo gjithmonë është legjitime. Maskimi i ilegjitimitetit me “ligj” ka qenë një nga teknikat e lashta të të gjithë tiranëve dhe diktatorëve. Me ligj dhe gjykata dhe me zgjedhje të trukuara diktatura e proletariatit është paraqitur si demokraci dhe justifikuar “ligjërisht” për 45 vjet në Shqipëri. Dhe mjeti me të cilin tiranët kryejnë këtë falsifikim është pikërisht proceduralizmi antidemokratik që e vë jurisprudencën në shërbim të tiranisë për dhunimin e së drejtës dhe ekspozimin e padrejtësisë si “drejtësi”, si ligjshmëri. Pikërisht, kjo po ndodh edhe me KQZ-në. Kryeministri autokrat Berisha ka përdorur shumicën e tij në Parlament për të rivendosur shumicën e tij në mënyrë krejt të jashtëligjshme në KQZ. Ka përdorur tiraninë e shumicës në Parlament për të rivendosur tiraninë e shumicës në KQZ. Dhe ambasadori i OSBE-së deklaron se ky institucion mund të funksionojë edhe kështu?! Po a ka shërbim më të madh se mund t’i bëhet një puçisti të institucioneve, një autokrati me gjakim evident për kapjen e të gjitha pushteteve dhe mbajtjen përjetësisht të fuqisë? Që Berisha ka nevojë për gjysmë-KQZ për të manipuluar zgjedhjet, është e qartë. Që manipulimi i zgjedhjeve të 23 qershorit do të çonte në rrënimin e demokracisë dhe përjetësimin e Berishës në pushtet, është e qartë. Që kjo do t’i jepte fund procesit të integrimit të Shqipërisë me Europën dhe Perëndimin është e qartë. Që autokrati Berisha do pikërisht një gjë të tillë, është po ashtu fare e qartë. E paqartë është se përse një ambasador i OSBE-së, i sjellë në Shqipëri për të mbështetur opsionin e demokracisë dhe lirisë, flet pa pushim dhe përçart në favor të opsionit autokratik. Sepse, nëse pranojmë se KQZ-ja mund të funksionojë edhe kështu, nëse diktatura në Shqipëri ka funksionuar për 45 vjet si “demokraci”, përse të mos themi se ndoshta ka ardhur koha që edhe demokracia mund të funksionojë si diktaturë?
Top Channel