Infarkt në gjumë, ndërron jetë portieri kroat

02/05/2013 18:25

Portieri kroat i AIK Solnës në Suedi dhe i grumbulluar në një rast në kombëtaren e vendit të tij, ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta mëngjesin e së enjtes.

Sipas të dhënave aktuale të policisë suedeze, dyshohet se Ivan Turina, 32-vjeçar, pësoi një infarkt ndërsa flinte.

Megjithatë, do të jetë një autopsi ajo që do të saktësojë përfundimisht shkaqet e vdekjes.

Ai u zbulua në të gdhirë i pajetë, nga bashkëshortja, me të cilën jetonte së bashku me dy djemtë e tij binjakë 1-vjeçarë.

Në një deklaratë mbi vdekjen e Turinës, klubi i AIK-ut saktësoi se nuk janë identifikuar asnjëherë probleme kardiake të kroatit, në testimet mjekësore në klub.

Ish-portieri i Dinamos së Zagrebit, i cili kishte luajtur edhe në Greqi e Poloni më parë, kishte ngjitur shkallët e karrierës duke u aktivizuar në të gjithë skuadrat e moshave, përpara se të mbronte në një rast të vetëm edhe portën e kombëtares, në një miqësore ndaj Hong Kongut.

Top Channel